Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka folur për situatën në veri të Kosovës.

Ai u shpreh se përplasjet në rrugë nuk çojnë në një marrëveshje dhe kjo s’është zgjidhja e duhur për normalizimin e situatës

“Shqetësuese është Kosova. Ne menduam se gjërat u qetësuan pas marrëveshjes për targat. Por sërish serbët e Kosovës, pas arrestimit të një ish-polici serb u përgjigjënduke shkaktuar trazira në rrugë, duke i bllokuar ato, madje duke hedhur bomba ndaj disa prej zyrtarëve tanë policor. Kjo është e papranueshme. E di që të dy palët duan ta deeskalojnë situatën. Fuqishëm i thërras ato që ta bëjnë një gjë të tillë.

Por në këtë rast unë isha në kontakt me kryeministrin Kurti, Miroslav Lajçakun dhe presidentin Vuçiç. Kjo prishje e rendit publik, kjo dhunë nuk janë të përballueshme. Ata duhet t’i kthehen dialogut, duhet ta tejkalojnë tendencën për t’u përballur në rrugë e krijuar bllokada. Kjo nuk është mënyra për të arritur marrëveshje apo vazhduar bisedimet e për të kërkuar zgjidhje, e për të vazhduar procesin e normalizimit në të cilin ata janë të angazhuar”, tha ai para mbledhjes së ministrave të jashtëm të BE-së, ku do të diskutohet për situatën në veri të Kosovës.