Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, do të njoftojë të enjten për dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Konservatore, raporton transmetuesi britanik BBC, pas dorëheqjes së ministrave të rinj dhe më shumë se 50 zyrtarëve të tjerë.
Ndërkaq, nga zyra e Johnsonit thanë se “kryeministri do t’i drejtohet kombit me një deklaratë” gjatë ditës së sotme.
Tetë ministra, përfshirë edhe dy sekretarë të shtetit, kanë dhënë dorëheqje më 7 korrik, duke e lënë të izoluar dhe pa fuqi politike Johnsonin dhe duke e shtyrë atë që të njoftojë për dorëheqje më vonë gjatë ditës, raportojnë mediat.
“Boris Johnson do të japë dorëheqje si lider i Partisë Konservatore”, tha redaktori i politikës në BBC, Chris Mason, duke shtuar se ai do të qëndrojë në postin e kryeministrit deri në vjeshtë.
Në mesin e zyrtarëve që kanë dhënë dorëheqje janë edhe kancelari Nadhim Zahawi, i cili u emërua dy ditë më parë. Ai tha se situata “nuk është e qëndrueshme dhe vetëm do të përkeqësohet”.
Zahawi ishte emëruar pasi Rishi Sunak u dorëhoq dhe tha se nuk mund ta mbështeste më Johnsonin për shkak të një serie të skandaleve etike.





