Nga Adivije Hoxha*
Zgjedhjet parlamentare, 25 Prillit 2021, u mbyllën.
Gjatë kësaj kohe, në kuadër të projektit “Vota e Personave me Aftësi të Kufizuara , Vlen”, Fondacioni “Së Bashku” në bashkëpunim me Shoqatën e Para&Tetraplegjikëve të Shqipërisë, dega Qarku-Durrës dhe vullnetarë-aktivistë të aftësisë së kufizuar, organizoi trajnime për njohjen e legjislacionit,(Kodi Zgjedhor në Republikën e Shqipërisë) për t’u angazhuar më pas, 15 persona, si vëzhgues-monitorues nëpër qendrat e votimit. Gjithashtu, u organizuan një sërë takimesh me kandidatë dhe subjekte të ndryshme politike, në të cilët, personat me aftësi të kufizuar, pjesmarrës, sollën në vëmendjen e tyre dhe ngritën shqetësimet e shumta me të cilat përballen në përditshmërinë e tyre, ku vend kryesor zunë pengesat e shumta dhe aksesi i munguar për kategori të ndryshme të aftësisë së kufizuar, për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, rrjedhojë kjo e papërgjegjshmërisë së institucioneve për zbatimin e kuadrit ligjor për Aftësinë e kufizuar.
Shumë prej tyre (subjekte “të vogla” politike) nuk kishin informacionin e duhur mbi kuadrin ligjor ekzistues, jo më se çfarë nevojash kanë personat me aftësi të kufizuar . Ne, nuk iu vëmë faj, kur kemi partitë “e mëdha”, që kanë qenë dhe janë “hartuese e miratuese” të ligjeve e VKM-ve, që na vijnë e, gjasme, na i prezantojnë ligjet (sikur ne, nuk i dimë e nuk i njohim), madje na “krekosen” se çfarë kanë arritur, pra kanë bërë ligje për ne!!!
Ne, ua kemi thënë në sy dhe e përsërisim: – Na thoni një Bashki, në gjithë territorin shqiptar, që ka hartuar një plan masash për Aksesueshmërinë për personat me aftësi të kufizuar, sipas detyrimeve ligjore që ata kanë prej 6-7vitesh (Ligji 93/2014, VKM 1074/2015).
Lidhur me këtë, Fondacioni “SëBashku” dhe shoqatat e aftësisë së kufizuar hartuan manualin MANIFESTO, që iu shpërnda garuesve në fushatën elektorale. Përmirësimi i aksesueshmërisë fizike dhe garantimi i aksesit në informacion, inkurajimin e tregut të punës dhe arsimit profesional për personat me aftësi të kufizuara, mbështetje për mjete ndihmëse dhe asistencë personale sipas nevojave, mundësim i arsimimit gjithëpërfshirës për fëmijët dhe studentët me aftësi të kufizuara me mësues ndihmës dhe transport të aksesueshëm dhe qasje në shërbime komunitare.
Ne, nuk po vuajmë për ligje sot, por vuajmë papërgjegjshmërinë e moszbatimit të ligjeve.
Kjo u pa qartë ditën e zgjedhjeve, ku personat me aftësi të kufizuar u diskriminuan gjer në situata dramatike, për shkak të mungesës së aksesit në të drejtën për të ushtruar lirisht dhe të pavaruar vullnetin e tyre.
Ndodhi atëherë , kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Bashkitë e Qarkut Durrës, na ishin përgjigjur se kanë garantuar aksesin e duhur për personat me aftësi të kufizuar, bazuar në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, Ligji 74/2012, i ndryshuar, dhe Ligji 31/2015, Neni 3, pika 3: “Çdo shtetas shqiptar që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë dhe ditën e zgjedhjeve, pa dallim rrace, etnie, gjinie, gjuhe, bindje politike, besimi, aftësie fizike ose gjendje ekonomike, ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë Kod” dhe njëkohësisht, Neni 108, pika 7 : “Në çdo rast, kur ka zgjedhës të regjistruar, sipas pikës 6 të këtij neni, të cilët kanë vështirësi hyrjeje në mjedisin e qendrës së votimit, caktimi i qendrës së votimit dhe organizimi i saj bëhen në mënyrë të tillë që të garantojnë hyrjen e lirë për këtë kategori zgjedhësish. Në rast se kjo është e pamundur në përputhje me udhëzimet dhe me shpenzimet e KQZ-së, kryetarët e njësive të qeverisjes vendore caktojnë personel apo pajisje ndihmëse për të garantuar hyrjen e lirë”. Dhe unë, personalisht, u ndjeva e diskriminuar, u ndjeva sikur nuk më llogarisnin si votuese e barabartë dhe pse votoja për të disatën herë në njëjtën qendër votimi. Objekti (shkollë e re), kishte akses (dhe pse jo në standartet e duhura), por qendra ime e votimit, (si për ironi) ishte te palestra, ku në hyrje ishin 3 shkallë. Por, nuk mjaftonte kjo, por dhe kutia e fshehtë ishte e vendosur përtokë me një karrige para si “tavolinë” (sa për të thënë që e kemi), gjë që e bënte të pamundur ushtrimin e të drejtës së votimit të fshehtë. U desh që të reagonim me ngritje zëri, që të vendosej një tavolinë.
Dhe justifikimi i Komisionit ishte “Na falni, jemi të patrajnuar”.
Mostrajnimi i stafeve u kuptua dhe në qendra të tjera votimi, ku fleta e votimit në formatin braill, ishte vendosur si “poster” apo “çertifikatë” vlerësimi. (ironi), se nuk e njihnin e as kishin informacion se përdorej për personat me mungesë shikimi.
Por, problematikat nëpër qendrat e votimit ishin të panumërta; mungonin posterat orientues për personat me aftësi të kufizuar, parkimet e rezervuar, (problem ky, në gjithë Qarkun e Durrësit) shpesh me oborre me gurë e pengesa të tjera.
Personat me aftësi të kufizuara janë pjesë e shoqërisë dhe nuk duhet të përjashtohen, madje as nga e drejta për t’u zgjedhur, si një potencial prej 6.2% e popullsisë (sipas CENSUSIT 2011). Ata nuk duhet të përjashtohen as nga të gjitha investimet infrastrukturore apo zhvillimet sociale, pasi përjashtimi sot, ka kosto më të madhe nesër dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së tyre.
Motoja e personave me aftësi të kufizuara, dalë nga Konventa e OKB-s për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar , është:
ASGJĒ PĒR NE, PA NE!
*Kryetare e Shoqatës Para&Tetraplegjikëve të Shqipërisë, dega Qarku-Durrës