Banorët në Libi kanë përjetuar orë tmerri, pasi stuhia shkatërrimtare ka marrë me vete gjithçka. Deri më tani rezulton se numri i të zhdukurve ka kaluar mbi 10 mijë.

Presidenti Bajram Begaj përmes një postimi në platformën X ka shprehur ngushëllimet dhe mbështetjen për popullin e Libisë në këtë kohë të vështirë.

“Mendimet dhe lutjet tona janë me popullin e Libisë gjatë kësaj kohe të vështirë. I shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta familjeve që kanë humbur të dashurit për shkak të ndikimit shkatërrues të stuhisë Daniel në Libinë lindore”, ka shkruar presidenti Begaj.

Qyteti Derna, më i godituri, dyshohet se ka pjesën më të madhe të të vdekurve. Zona u godit rëndë nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet nga stuhia mesdhetare “Daniel”, që shkaktoi çarjen e digave dhe zhdukjen e lagjeve të tëra.

Pamjet apokaliptike bënë xhiron e rrjetit, ku uji vërshonte me shpejtësi duke marrë çdo gjë me vete. Ekipet e kërkim shpëtimit po punojnë intensivisht në të gjithë vendet e goditura, teksa shkalla e vështirësisë është e lartë për shkak të nivelit të lartë të ujit.

Autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, i gjithë vendi është në shtetrrethim, njëkohësisht shkollat dhe dyqanet janë mbyllur.

Në raportimet paraprake rezultojnë të paktën 150 shtëpi të shkatërruara totalisht. Kryeministri Abdulhamid Dbeiba, i ka urdhëruar të gjitha agjencitë shtetërore që të menaxhojnë dëmet pas përmbytjeve, ndërsa Zyra e Kombeve të Bashkuara në vend njoftoi se e po ndjek situatën nga afër.