Zgjedhja e Talat Xhaferrit në krye të Kuvendit maqedonas ka shkaktuar situatë kaotike në ambientet brenda dhe jashtë godinës së parlamentit.
Të paktën 2 mijë persona qëndrojnë jashtë saj për të kundërshtuar zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri, ndërsa një pjesë kanë arritur të futen brenda në godinë.
Sipas mediave atje, situata ka përshkallëzua në dhunë ndaj gazetarëve, e deputetëve, por edhe kreut të LSDM Zoran Zaev (ne foton kryesore), i cili është goditur brenda ambienteve të Kuvendit, pasi protestuesit arritën të thyejnë katër dyert e sallës ku mbahen konferencat.
I lënduar mësohet të ketë mbetur edhe deputeti Zijadin Sela (ne foton poshte), i cili ka marrë plagë të rënda edhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Deri para pak momentesh në Kuvend vihej re një mungesë e theksuar e forcave të policisë. Megjithatë tashmë në vendngjarje kanë mbërritur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Me brohorima anti shqiptare si “Shqiptarët e mallkuar”, protestuesit duken të vendosur për të mos u larguar.
Në një konferencë për shtyp ambasadorët e huaj në Shkup deklaruan se po e ndjekin situatën me vëmendje të madhe. Ata i bënë thirrje partive politike që të tregohen të përmbajtura ndaj nxitjes së gjuhës së urrejtjes. Ambasadorët theksuan se kjo nuk është koha për dhunë, por për dialog.
“Po flas si ambasadori më i vjetër këtu në emër të BE dhe SHBA. Kjo është e pa pranueshme dhe i bëjmë thirrje të gjithë partive që të tërhiqen nga retorikat që nxisin dhunë dhe të tregohen të përmbajtur. Ky është momenti për dialog dhe jo për dhunë”.
Dëgjohen krisma brenda në Kuvend, nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur. Në Kuvend nuk lejohet të hyjë asnjë mjekë. Forcat e Policisë janë shtuar por nuk po tentojnë të ndërhyjnë.