Fundi i ndeshjes mes Midëllsbrou dhe Çelsit në Kupën e Ligës ka shënuar një incident aspak të këndshëm për Armando Brojën dhe shokët e tij. Tifozët e klubit londinez, të inatosur për humbjen në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës, kontestuan futbollistët e tyre. Broja ishte ndër të paktët lojtarë të Çelsit që u kthye nga këndi ku ishin tifozët udhëtues për t’i duartrokitur si falënderim për mbështetjen.

Por ai u përball më vërshëllimat dhe kontestimin e mbështetësve të skuadrës të cilët kërkonin më shumë nga kjo sfidë. Sulmuesi vrapi poshtë tribunës, duke parë se Tiago Silva nisi të shkëmbente disa batuta aspak miqësore me tifozët që po e kontestonin.

Por situata u zgjidh shpejt dhe futbollisti shqiptar gjithashtu u largua drejt dhomave të zhveshjes, ashtu si shokët e skuadrës.