Fluks i lartë pacientësh në Urgjencën dhe Pediatrinë e spitalit rajonal të Durrësit.
Gripi i stinës, por edhe Covid-19 kanë rritur ndjeshëm numrin e qytetarëve dhe fëmijëve të vegjël, që kanë nevojë për kujdesin shëndetësor të bluzave të bardha.
Janë rreth 400 pacientë në ditë që paraqiten pranë Urgjencës së spitalit, ndërsa rreth 170 pacientë të vegjël i drejtohen çdo ditë Urgjencës së pediatrisë.
Sipas mjekut të urgjencës, Elton Bodlli, situata është kaotike, për shkak të fluksit të lartë të vizitave.
“Shumica e pacientëve paraqiten me simptoma të ngjashme si kollë, hundë, diare, dobësi të përgjithshme. Nuk mund të themi që është formë e Covid-19, pasi disa pacientë që bëjnë tamponin dalin pozitiv, disa të tjerë negativ. Janë të përngjashme simptomat me ato të Covid-19, por nuk mund të themi që është formë e Covid-19”,– thotë ndër të tjera mjeku Bodlli.
Për mjekun Bodlli, situata virale rëndohet për shkak të kollës së zgjatur, që vijon me javë me radhë, pasi temperatura zgjat vetëm 3-4 ditë. Ndërkohë, pjesa më e madhe e pacientëve kurohen në shtëpi dhe pak shtrohen në spital.
Sipas tij, më të rrezikuar janë moshat mbi 65 vjeç, të cilët vuajnë kryesisht edhe nga sëmundje kronike.





