Vendet e grumbullimit të mbeturinave urbane në lagje të ndryshme të Durrësit kanë qenë thuajse çdo ditë të tejmbushura, që nga java e kaluar, kur emergjenca koronavirus trokiti në qytetin bregdetar.
Rreth një javë më parë nisi “sulmi” i qytetarëve nëpër supermarkete për të blerë produkte shumë më tepër sesa konsumi disa ditor apo javor, pas masave drastike që qeveria Rama ndërmori hap pas hapi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Izolimi prej disa ditësh në shtëpi është shoqëruar me konsum më të madh produktesh ushqimore, shoqëruar kjo me depozitim të shtuar mbeturinash urbane në kazanë, madje shpeshherë plehrat shpërndahen edhe nëpër trotuarë apo asfalt.
DurrësLajm e ka trajtuar disa herë problematikën e kazanëve të tejmbushur, të cilët rrezikojnë të shndërrohen në vatra infeksioni, për më tepër kur për parandalimin e përhapjes së koronavirusit rekomandohet higjienë personale dhe njëkohësisht komunitare.
DurrësLajm zhvilloi sot një bisedë telefonike me drejtorin e Ndërrmarrjes së Shërbimit Komunal, Alfred Gjini, lidhur me këtë problematikë, që shqetëson së tepërmi qytetarët këto ditë. Drejtori Gjini nënvizoi se situata e vështirë e krijuar në ditët e para të emergjencës koronavirus ka kaluar disi, ndërsa nënvizoi se izolimi i njerëzve në shtëpi, përkthehet në konsum të shtuar produktesh ushqimore dhe për pasojë edhe sasi më të mëdha mbetjesh për çdo familje.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe ne i kemi kushtuar një rëndësi të veçantë tërheqjes së mbeturinave urbane. Me vëzhgimet e mia në terren dhe kontakti që kam me qytetarët, situata është drejt përmirësimit. Mjetet agregate i tërheqin mbeturinat një herë në ditë, duke nisur nga ora 21.00, ndërkohë që mjetet e hapura dalin rreth mesditës në lagjet e qytetit, por ato tërheqin vetëm mbetjet që janë rreth e qark kazanëve”, – tha drejtori Gjini.
Krahas akumulimit të mbeturinave nga qytetarët, për NSHK Durrës një problem më vete është edhe depozitimi i mbetjeve nga ana e supermarketeve. Sipas Gjinit, bashkia e Durrësit i është drejtuar ditët e fundit me një shkresë këtyre njësive tregtare për t’u kërkuar që depozitimin e mbeturinave ta bëjnë përgjatë fashës orare 17.00-18.00. Në këtë mënyrë, do të evitohej mbushja e kazanëve pranë këtyre bizneseve.
“Ky apel jo gjithmonë është respektuar nga supermarketet. Në këtë periudhë të vështirë që po kalon Durrësi dhe e gjithë Shqipëria kërkohet bashkëpunimi i të gjithëve”,- thotë Gjini.
Dy ditët e fundit, Policia Bashkiake, e mbështetur nga NSHK Durrës ka gjobitur shtetas dhe njësi tregtare që hedhin mbeturinat në vende që nuk janë të përcaktuar dhe as të miratuar si vend depozitime apo jashtë orarit të përcaktuar.
Sipas drejtorit të NSHK Durrës, depozitimi i mbetjeve në vende jo të përcaktuara nga kjo ndërmarrje kontribuon për ndotjen e mëtejshme të ambientit.
Paralelisht me tërheqjen e mbeturinave urbane, NSHK është angazhuar këto ditë me dezinfektimin e të gjitha institucioneve publike në Durrës, shkollave, çerdheve, rrugëve, kazanëve të mbeturinave etj.





