Pas tërmetit me magnitudë 6.2 ballë që goditi Turqinë më 23 prill, sizmologët turq kanë shprehur mendime të ndryshme për situatën sizmike në rajonin e Detit Marmara dhe Stambollit. Ndërsa disa ekspertë paralajmërojnë për një tërmet edhe më të fuqishëm në të ardhmen, të tjerë mendojnë se rreziku i madh është shmangur.
Sizmologu i njohur, profesor Naci Gyorur, ka deklaruar se tërmeti i 23 prillit nuk ishte ai që ata presin prej kohësh, por vetëm një paralajmërim. “Tërmeti i Stambollit do të ndodhë. Ai i fundit vetëm e afroi më shumë momentin e goditjes së madhe, që do të kalojë mbi 7 ballë të shkallës Rihter,” tha Gyorur.
Ekspertët ndajnë degën veriore të thyerjes së Anadollit të Veriut në tri pjesë. Pjesa lindore, që shkaktoi tërmetin e vitit 1999 me magnitudë 7.4 në Gjirin e Nikomedias, dhe pjesa perëndimore, që shkaktoi një tërmet në vitin 1912, tashmë janë aktivizuar. Por segmenti qendror, që kalon përmes Detit Marmara në jug të Stambollit, nuk është “thyer” ende dhe sipas ekspertëve po grumbullon energji që mund të shkaktojë një tërmet të madh.
Profesori Okan Tuisuz nga Universiteti Teknik i Stambollit shton se transferimi i stresit pas tërmetit të vitit 1999 ka përshpejtuar mundësinë e një goditjeje të re në këtë zonë. “Që nga gushti 1999, stresi është rritur me 15% dhe zona është gjithnjë e më e ekspozuar,” tha ai.
Megjithatë, disa sizmologë mbeten më optimistë. Profesori Sener Usumezsoy, i cili kishte parashikuar edhe tërmetin e vitit 1999, deklaroi se tërmeti 6.2 ballë i së mërkurës ka çliruar mjaftueshëm energji dhe se nuk priten më lëkundje të forta në Detin Marmara. “Tërmeti i pritshëm ndodhi. Nuk do të ketë më tërmete të mëdha në këtë zonë,” u shpreh ai.