Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për median italiane “ANSA” ka folur mbi vonesa e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Rama thotë se në lidhje me këtë çështje është realist, pasi sipas tij procesi i hapjes së negociatave nuk varet nga Shqipëria, por nga BE.
“Unë nuk jam optimist apo pesimist, thjesht realist. E di, të gjithë e dinë se kjo nuk varet nga ne, por nga Bashkimi Evropian. Ne kemi bërë, për më shumë se dy vjet tashmë, gjithçka që ka qenë e nevojshme për fillimin formal të negociatave të pranimit. Por ata ende nuk e kanë mbajtur “premtimin” e tyre për shkak të problemeve të tyre dhe sepse Bullgaria po bllokon Maqedoninë e Veriut”,- thotë Rama.
Kryeministri tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, plotësuan të gjitha kriteret dhe kërkesat nga Brukseli, kryen reforma të vështira, por ngërçi vazhdon.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndoqën reforma të dhimbshme në vitet e fundit për të përparuar në rrugën drejt BE -së. Të dyja vendet i plotësuan të gjitha kriteret e përcaktuara nga Brukseli, por rruga e tyre e pranimit është akoma e ngrirë,” tha Rama.





