Gjatë ditëve të fundit të dhjetorit, i gjithë vendi është pushtuar nga temperatura të larta, aspak normale për këtë periudhë të vitit. Termometri ka shënuar 18 gradë Celcius dhe pritet që deri në fundjavë të kemi një rritje me dy deri në 3 gradë Celcius.

“Krishtlindja këtë radhë erdhi me temperatura të larta, që kanë përfshirë të gjithë pjesën e Europës Juglindore. Sot në Ultësirën Perëndimore janë regjistruar temperatura deri në 17 gradë Celcius. Kjo situatë do të vazhdojë edhe në fundjavë, madje parashikohet që të depërtojnë më tej masat e nxehta afrikane, që kanë përfshirë Europën dhe vendin tonë. Nesër parashikohet të ketë një rritje me dy gradë, teksa në ultësirë do të luhaten temperatura nga 16-20 gradë, ndërsa zonat malore të verilindjes dhe juglindjes do të kenë një luhatje nga 8-14 gradë”, tha meteorologia Rezarta Xhakollari për “Top Channel”.

Ndërrimi i viteve pritet të jetë pak më i ftohtë dhe me reshje dëbore në zonat malore. Reshjet do të jenë me intensitet të paktë, por do të ketë edhe një rënie të ndjeshme të temperaturave në ekstremet minimale dhe maksimale, me nga 5-6 gradë.