BRUKSEL, 19 shkurt 2013– Ka përfunduar në Bruksel takimi mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, në praninë edhe të shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Bruksel, Rikard Jozwiak, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndonjë marrëveshje të arritur.

“Bisedimet për sot kanë përfunduar. Nuk ka marrëveshje, nuk ka deklarata. Bisedimet pritet të vazhdojnë nesër (të mërkurën) pasdite. Atmosfera sot ka qenë shumë e mirë. Dy kryeministrat kanë folur gati tri orë. Burimet e mia thonë se bisedimet kanë qenë shumë të hapura, ndonëse tash për tash nuk mund të flasim për ndonjë arritje. Një gjë të tillë ndoshta mund ta shohim gjatë ditës së nesërme”, ka thënë Jozwiak.

Bashkimi Evropian nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare lidhur me konkluzionet e takimit të sotëm. Ky është raundi i pestë i bisedimeve ndërmjet dy kryeministrave, të cilat kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Ai pason takimet e ndara të Thaçit dhe Daçiç me baroneshën Ashton. Në krye të agjendës së sotme është thënë se do të ishte çështja e veriut të Kosovës dhe e strukturave paralele të Serbisë atje. Bashkimi Evropian ka thënë se rezultatet e këtij dialogu janë kyçe për avancimin e Kosovës dhe të Serbisë në rrugën evropiane.