Debatet për lojën e ashpër të Majkëll Ngosë kundër futbollistëve të Teutës vazhdojnë ende pas ballafaqimit mes bardhebluve dhe durrsakëve.

Mbrojtësi i Teutës Rustem Hoxha ironizoi gjyqtarin e sfidës së fundit të “djemve të detit” Kreshnik Bajramajn për mospenalizimin e sulmuesit të Tiranës Ngo për lojën e ashpër duke përdorur bërrylin.

28-vjeçari publikoi një foto të një dyluftimi të tij me Ngo ku shihet që anglezi ka vendosur bërrylin afër nofullës së Hoxhës. Nga fotoja shikohet se Bajramaj ndodhet fare pranë aksionit, por lejon vazhdimin e lojës. Futbollisti durrsak shkruan se “s’ka patur pamje më të qartë se kjo”.

Kujtojmë që ditën e djeshme, Teuta i kërkoi FSHF-së të penalizojë futbollistin Majkëll Ngo pasi ka dëmtuar me bërryl disa prej lojtarëve të Teutës gjatë takimit të së dielës, e fituar nga 24-herë kampionët e Shqipërisë me rezultatin 2-1.