18 shtator 2015 – Merr formë të prerë dënimi me 35 vjet heqje lirie për Kostandin Xhuvanin, autori i vrasjes së katërfishtë të ndodhur një vit më parë në Tiranë.
Edhe Gjykata e Apelit ka vendosur që Xhuvani të qëndrojë 35 vite në burg, duke lënë kështu në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për djalin e ish-deputetes socialiste Luiza Xhuvani.
Autori i ngjarjes tragjike iu drejtua Apelit për të kundërshtuar vendimin e dhënë më 10 mars të këtij viti nga Shkalla e Parë, duke argumentuar me faktin se të gjitha veprimet e tij janë kryer pa dashje, pa ndërgjegje dhe pa vullnet për shkak se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe drogës. Por, kërkesa e tij nuk u pranua. Ai do ta vuajë të plotë dënimin në një burgjet e sigurisë së lartë.
Ngjarja për të cilën akuzohet Xhuvani ndodhi në 4 nëntor të vitit 2014 në një lokal në “Rrugën e Elbasanit”, ku ai vrau me pistoletë shokun e tij Arbër Demiraj, si dhe Edison Jahon, Enea Xhajin dhe shtetasin italian Gianpaolo Azzolo.
/S.L. portali DurresLajm/