Traktati i fundit mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për kontrollin e armëve bërthamore skadon këtë të enjte dhe ngre shqetësime për një garë të re armatimesh mes dy superfuqive.

Traktati për Reduktimin e Armëve Strategjike, i njohur si START dhe i ripërtërirë në vitin 2010 me emrin “New START”, ka qenë një prej marrëveshjeve më të rëndësishme që synonin shmangien e një lufte bërthamore.

Traktati përfshinte kufizimin e kokave bërthamore strategjike për secilën palë në 1.550 njësi, si dhe mundësonte një transparencë të pjesshme me shkëmbim të dhënash dhe inspektime në impiantet atomike.

Por tani, skadimi i akordit shënon fundin e kontrollit të armatimeve strategjike dhe të bashkëpunimit mes Uashingtonit dhe Moskës, që dekada më parë i dha fund Luftës së Ftohtë.

Të mërkurën, Papa Leoni XIV i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë që ta rinovojnë traktatin, me argumentin se situata aktuale globale kërkon që të bëhet gjithçka për të shmangur një garë armatimesh.

Shqetësimi u ngrit edhe nga ish-kreu i Forcave të Armatosura britanike, admirali Sir Tony Radakin, i cili vitin e kaluar tha se, arkitektura dhe korniza e punës që mbajtën botën të sigurt tani rrezikojnë të shkërmoqen.

Edhe politikani rus Dmitry Medvedev, që si president nënshkroi akordin “New START” në 2010-n, tha se skadimi i traktatit duhet t’i alarmojë të gjithë. Bëhet fjalë për një koment “të ftohtë” nga një politikan retorika e fundit e të cilit ka përfshirë kërcënime bërthamore.

Presidenti Donald Trump ndërkohë është shfaqur më pak i shqetësuar. Muajin e kaluar ai tha për “New York Times”: “Nëse traktati skadon, skadon. Ne duhet të arrijmë një marrëveshje më të mirë”.

Uashingtoni kërkon që çdo traktat i ardhshëm të përfshijë edhe Kinën, e cila ka ndërtuar tashmë arsenalin e saj bërthamor. Ndërsa Rusia argumenton se çdo nismë duhet të përfshijë edhe Francën me Britaninë, që janë fuqitë bërthamore evropiane.