Të punuara me një stil të personalizuar dhe tërësisht në mënyrë artizanale, skafet që mbajnë emrat “Shtriga” dhe “Zana” janë produkte “Made in Albania”.
Të prodhuara deri në detajin më të imët në kantierin “Magistar” në Pjezëz të Shijakut, brenda pak ditësh ato do të nisen drejt Gjermanisë, për t’u blerë nga porositësit.
Ideja për prodhimin e tyre lindi disa vite më parë, për të sjellë stilin venecian të prodhimit të mjeteve lundruese në Shqipëri.
“Këto prodhime me origjinë italiane dhe më specifikisht veneciane bëhen me dru kualitativ duke respektuar traditat më të vjetra të ndërtimit të anijeve në Venecia. Janë mjete lundruese ku ndërthuret klasikja me sportiven dhe shpejtësinë që i karakterizon këto skafe. Ato mund të drejtohen nga kushdo.“- thotë për “DurrësLajm” Francesco Bressan, organizator i kompanisë.
“Nuk bëjmë thjesht një prodhim artizanal, por bëjmë një prodhim të personalizuara. Çdo gjë e punojmë me dorë, si pjesën drusore, edhe atë metalike”,– shton një nga ortakët e kompanisë Marko Elezi.
Të gjata nga 5 deri në 18 metra, skafet e prodhuara në këtë kantier dhe të dala nga duart e mjeshtrit Claudio Causin janë shumë miqësore me ambientin.
“Prodhimet tona janë ekologjike deri në masën 90%, mbase edhe më shumë. Kjo është filozofia jonë me të cilën ndërtojmë varkat. Prodhimet janë ekskluzivisht “Made in Albania”.
Në projektet e ardhshme të kompanisë është prodhimi i mjeteve lundruese luksoze deri në 60 metra, por edhe skafeve të frymëzuara nga anijet e dikurshme ilire. Pozicionimi i kantierit në një zonë pa dalje në det mbetet tani për tani penalizimi më i madh.
“Një nga problematikat më madhore që kemi hasur deri tani si në marrjen e punëve si dhe në testimin është pikërisht dalja në det, që na mungon akoma për momentin. Kjo është shumë themelore për kantierin tonë sepse do të thotë një rritje e organikës së punëtorëve, një rritje e prodhimit duke mos pasur mundësinë të marrim edhe përmasa më të mëdha për prodhim, nga çfarë po bëjmë aktualisht”,– thotë Elezi.
Çmimi i këtyre skafeve tërësisht të personalizuara varion nga 20 mijë deri në 250 mijë euro, nisur kjo edhe nga kërkesat specifike të klientelës.
M.B.





