DURRES, 03 mars 2013– Moratorium i skafeve shfuqizohet sot dhe pritet që mjetet lundruese luksoze, në pronësi kësaj here të pasanikëve shqiptarë, apo të marrë me qira prej tyre do të mund të lundrojnë në ujërat tona. Bizneset që operojnë në këtë sektor ndihen të kënaqur që më në fund pengesa për zhvillimin e biznesit të tyre ka rënë.
Dorian Mersini, një nga operatorët turistikë në Durrës shprehet se moratoriumi nga njëra anë bllokoi biznesin privat për të operuar në këtë fushë, por nga ana tjetër pati një gjë pozitive në këtë ndalim, pasi dha mundësi për krijimin e standarteve të kërkuara nga ana e operatorëve turistikë që operojnë në këtë fushë.
Nga njëra anë moratoriumi i skafeve solli pengesa për zhvillimin e sektorit në aspektin privat të kompanive turistike, të operatorëve të ndryshëm, por nga ana tjetër i dha mundësi strukturave shtetërore për të pasur kohën e nevojshme për t’u riorganizuar sipas asaj që kërkon ky sektor. Mbarimi i moratoriumit të skafeve fatmirësisht për ne përkon me arritjen e këtij standarti, që është hapja e tregut, por me një kusht duke respektuar standartet e vendosura”,- tha Mersini.
Afati i moratoriumit për ndalimin e mjeteve lundruese, hyri si ligj në fuqi më 3.4.2006 dhe është rinovuar më 4.2.2010. Ky moratorium ndalonte mjetet lundruese në bregdetin shqiptar dhe sipas qeverisë bllokoi trafikun e drogës dhe të qënieve njerëzore.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





