Një skandal dopingu rrezikon të tronditë futbollin britanik. Qeveria ka urdhëruar nisjen e menjëhershme të hetimeve nga ana e agjencisë anti-doping pas publikimit të lajmit për trajtimin e rreth 150 sportistëve nga ana e mjekut të dyshuar, Mark Bonar. Në listën e tij bëjnë pjesë edhe shumë futbollistë, por “The Sunday Times” thekson se për momentin nuk ka asnjë të dhënë që lojtarë të Premier League janë të lidhur drejtpërdrejtë me mjekun në fjalë.
Klubet nuk kanë reaguar për momentin pasi në media nuk kanë dalë emra konkretë, ndërsa Ministri i Sportit, John Whittingdale u shpreh i shokuar dhe i shqetësuar për këtë ngjarje ku mendohet se janë të përfshirë disa tenistë dhe atletë. “Kam kërkuar që të nisin menjëherë hetimet për të vërtetuar nëse ka lidhje të drejtpërdrejtë mes mjekut dhe sportistëve pasi duhet të sigurohemi që sporti britanik të jetë i pastër. Për momentin nuk kemi asnjë të dhënë se sportistët kanë përdorur doping”, theksoi ai.
Alarmin e parë për këtë çështje e dha pikërisht tabloidi britanik “The Sunday Times” që hodhi dyshimet për implikimin e shumë sportistëve por tashmë me aktivizimin e institucioneve zyrtare në Britanikë e Madhe, pritet të hidhet dritë sa më shpejt pasi në të kundërt, skandali mund të marrë përmasa edhe më të mëdha me pasoja tragjike për sportin britanik. Premier League u trondit nga lajmi ku Dr. Mark Bonar tha për Sunday Times që ka dhënë receta me substanca performancë-rritëse për mbi 150 sportistë britanikë. Ai tha se kishte punuar me disa futbollistë të cilët janë pjesë e Arsenal, Chelsea, Leicester City dhe Birmingham City.
Pas këtyre deklaratave, secili nga klubet ka dhënë deklaratën e tyre mbi çështjen siç vijon më poshtë. Chelsea – “Pretendimet janë të false dhe plotësisht të pabazuara. Chelsea nuk ka përdorur kurrë shërbimet e Bonar dhe nuk ka dijeni apo të dhëna se ndonjë prej lojtarëve tanë është trajtuar nga ai apo ka marrë shërbim prej tij. Klubi ynë e merr çështjen e dopingut në sport shumë seriozisht dhe mbështet plotësisht rregullat anti-doping . Lojtarët e Chelsea testohen rregullisht dhe rigorozisht nga autoritet përkatëse.”
Arsenal – “Lojtarët tanë janë të vetëdijshëm për pasojat. Përveçse aderues, ne jemi mbështetës të zjarrtë të ‘Agjencisë Botërore Anti-Doping; dhe lojtarët tanë janë subjekt i rreth 50 testeve të rastësishme në sezon. Asnjë nga lojtarët tanë nuk ka rezultuar pozitiv në test të tillë.”
Leicester City – Leicester City tha që lojtarëve i ndalohet të marrin çfarëdo lloji substance kimike pa autorizim nga klubi. Çdo përdorim i substancave të ndaluara, mund të rezultojnë në mbylljen e kontratës së lojtarit.
Birmingham City – Klubi tha që i duhej më shumë informacion në mënyrë që ti përgjigjet me korrektesë të plotë akuzave. Ata shtuan se politikat e klubit pasqyrojnë ato të ‘Football Association’s’.