2 nëntor 2015 – Godina e ish-Muzeut Arkeologjik është në zemër të qytetit bregdetar, pranë shëtitores “Taulantia”, aty ku çdo mbrëmje bëhet xhiroja tradicionale buzë detit. Një godinë 2-katëshe, e cila sipas banorëve iu kthye pronarit të truallit në vitin 1997, jo vetëm ka humbur funksionin e saj primar, por e lënë në mëshirë të fatit, është kthyer në shqetësimin kryesor të një komuniteti të gjerë në lagjen numër 1, përballë ish-kolonave romake.
Me një çati që po bie nga çasti në çast, të dyja katet e saj janë të mbushura me plehra, shiringa që përdorin personat e droguar, dhe në ajër përhapet një erë e rëndë, pasi përdoret si banjo publike nga të gjithë qytetarët e turistët në shëtitoren “Taulantia”. Çdo vit, banorët e pallateve i kanë bërë peticione bashkisë t’i japë një zgjidhje problemit, por deri tani nuk është marrë asnjë masë.
Sokrat Sava, një banor i pallatit tregon: “Është gangrenë e tmerrshme me këtë godinë që dikur ishte muzeu arkeologjik. Sa fillon errësira, këtu mblidhen të gjithë drogaxhinjtë, endacakët, të gjithë. Papastërti e madhe, nuk del dot natën, sepse bie pre e grabitësve, e narkomanëve, prostitucionit. Gjithçka e pisët zhvillohet në këtë ambient. Bashka ose ta prishë e ta bëjë lulishte këtë, ose ta mbyllë sepse banorët janë të pafuqishëm për të ndërhyrë.”
Një tjetër banore e cila banon në pallatin afër në katin e tretë thotë se të gjithë ata që dalin e shëtisin gjatë bregut të detit vijnë këtu dhe e përdorin si banjo publike, e jo vetëm. “Çfarë nuk bëjnë. Na vjen turp se dalin burra, gra e pleq pa të mbathura. Prostitucion i madh po bëhet. Ka ardhur disa herë policia dhe i ka përzënë, por këtu vijnë sërish.”
“Po të shikosh natën se çfarë bëhet këtu, të vjen ndot. Janë të gjithë të rinj, që pijnë drogë. Pastaj rrinë shtrirë aty në pisllëk gjithë natës. Çfarë nuk po na shikojnë sytë, se pa dyer e pa dritare është”, shprehet i shqetësuar një banor tjetër i zonës.
/K.H. portali DurresLajm/