Malajzi, 2 maj 2014 – Ekspertët besojnë se audio-regjistrimet e publikuara sot nga aeroplani i zhdukur i fluturimit MH370, përkatësisht bisedat e pilotit me kullën e kontrollit, janë të përpunuara.

Analistët të cilët dëgjuan regjistrimin thonë se ato kanë të paktën dy burime nga të cilat njëri mund të jetë regjistrues digjital i afruar në altoparlant. Siç thonë ekspertët për NBC News, janë të paktën katër pauza, ndaj dyshohet se dikush ka ndërhyrë për t’i përpunuar.

“Gjë shumë e çuditshme”, ka thënë eksperti Ed Primea. “Në rreth 1:14 minuta incizim… duket sikur dikush e mban regjistruesin për altoparlant. Kjo është alarmante, sepse del se është përpunuar dhe nuk është autentik”.

Ekspert tjetër, Kent Gibson, po ashtu ka hasur parregullsi të dyshimta.

“Në minutën 04:07 mund të dëgjohet ndryshimi i stacionit dhe frymëmarrja e dikujt, që është gjë e çuditshme. Mund të dëgjohet një klik kur shtypet susta e mikrofonit, por rëndom në sfond nuk dëgjohet asgjë”, thotë ai dhe shton: “Dikush, ose pushteti i Malajzisë, i ka përpunuar me qëllim, mbase pse piloti ka thënë diçka që atyre nuk u pëlqen”!

Aeroplani i Malajzisë me 239 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, u zhduk me 8 marsit në fluturimin nga Kuala Lumpur në Pekin. Hetuesit besojnë se ai ra diku përgjatë bregut perëndimor të Australisë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/