Tiranë, 30 shtator 2014 – Një tjetër rast pedofilie është zbuluar sot në media, ku në qendër të abuzimeve kanë qenë fëmijët jetim. Mbrëmjen e sotme, emisioni investigativ “Fiks Fare” ka publikuar rastin në fjalë, ku kreu i një shoqate jetimësh jepte statusin ‘jetim’, në këmbim të favoreve seksuale.

Bëhet fjalë për Maksim Liço, kryetarin e shoqatës “Jetimët në fokus”, i cili u premtonte jetimëve strehim, shkollim në kolegj privat pa pagesë dhe të gjitha lehtësirat që të siguron statusi i jetimit, në këmbim të favoreve seksuale. 

Në qendër të investigimit qëndrojnë 140 shoqata që veprojnë në emër të fëmijëve në nevojë, duke mashtruar, se si kërkohen favore seksuale në këmbim të ndihmës për të përfituar statusin e jetimit. Investigimi nisi pas një informacioni që mbërriti për aktivitetin e shoqatës “Jetimët në fokus”. Pretendimet mbi mënyrën e abuzimit ishin të shumta, por më e rënda ishte shfrytëzimi seksual i jetimëve në këmbim të ndihmës. 

Në “Fiks Fare” mbërriti fillimisht një komunikim në rrjetin social 'Facebook' i kryetarit të kësaj shoqate me një djalë jetim 17- vjeçar nga qyteti i Sarandës. Gjatë bisedës, kryetari e ngacmon atë seksualisht dhe i premton ndihmë nga ana e tij. Për të ruajtur konfidencialitetin e kësaj bisede, kontakti me zotin Liço u realizua në të njëjtën mënyrë, nëpërmjet rrjetit social 'Facebook'. Bashkëpunëtori i Fiksit iu prezantua kreut të shoqatës “Jetimët në fokus” si një jetim 16- vjeçar në kërkim të ndihmës. 

Ftesa në Facebook nga ana e zotit Liço u pranua menjëherë. Madje të menjëhershme ishin edhe pëlqimet në çdo foto të djalit të postuar në këtë rrjet. Pas bisedave të para në Facebook, bëhet edhe takimi i parë pranë zyrave të shoqatës “Jetimët në fokus”. Gjatë bisedës, djali i kërkon ndihmë, ndërsa kryetari i kërkon plotësimin e disa dokumenteve, që të nisin regjistrimin si jetim për ta ndihmuar më vonë në nxjerrjen e statusit të jetimit. Pasi i jep numrin e tij të telefonit celular, kreu i shoqatës i lë takim në zyrën e tij që ndodhet në kryeqytet, në Rrugën e 
Durrësit. Takimi i parë zhvillohet në zyrë. Zoti Liço i kërkon djalit të prezantuar si jetim 16- vjeçar që të përgatisë një sërë dokumentesh, në mënyrë që t’i sigurojë shkollimin falas në një kolegj privat, por pa pagesë e më pas strehim e statusin e jetimit. 

Në këtë bisedë, kreu i shoqatës “Jetimët në fokus” i bën ftesën e parë djalit në shtëpinë e tij në Kombinat, nëse do të ketë nevojë për një vend për të fjetur. Pas takimit të parë dhe bisedave në Facebook, zhvillohet një takim tjetër në zyrën e shoqatës, ku të pranishëm janë edhe disa punonjës të saj. Në këtë takim, kreu i shoqatës, Liço, i kërkon sërish plotësimin e dokumenteve dhe njëri prej punonjësve fillon që ta regjistrojë djalin si një jetim 16- vjeçar. Sipas tij, ky ishte dhe informacioni që djali (i prezantuar si jetim) i kish dhënë gjatë bisedave në Facebook. 

Në emision u bë publike edhe një sekuencë e bisedës së kreut të shoqatës “Jetimët në fokus” dhe djalit të prezantuar si jetim, ku kreu i shoqatës kërkon favore seksuale nga jetimi. Në bisedën në rrjetin social “facebook” Maksim Liço i ka kërkuar djalit të ketë një marrëdhënie seksuale me të. 

Biseda nga takimi i parë në zyrë me kreun e shoqatës “Jetimët në fokus” 

Maksim Liço – Hajde se tanet jemi të gjithë, të shoqatës. 
Maksim Liço – Zemër, çfarë ke? I solle ato dokumentet që folëm? 
Maksim Liço – Unë ta mësova problemin, çfarë problem të kesh tani, do e flasim bashkë. 
Maksim Liço – Të mundohem të të fus unë në ndonjë shkollë kështu, që të mos paguash, në ndonjë kolegj, ndonjë kështu? 
Fiksi – Unë pashë një çikë në Facebook që ndihmonit. 
Maksim Liço – Ore shumë mirë bëre. 
Fiksi – Çfarë bëni ju? Çfarë mundësish na jepni? 
Maksim Liço – Nga je? 
Fiksi – Nga Tirana. 
Maksim Liço – Se ku të kam parë unë, pashë një çikë fotografitë. 
Maksim Liço – Hajde për çdo gjë, do ta mësoj dhe shtëpinë. Hajde për ça të kesh hall, më thuaj. 
Fiksi – Po ça? Të vij të fle ke shpia jote? 
Maksim Liço – Jo mo, hajde fli ndonjëherë, s’ka problem. 
Fiksi – Të vij të fle ke shpia jote?! 
Maksim Liço – Po hajde mo, fli ndonjëherë, kur të jesh pushim apo kur të ashtu… 
Fiksi – Ti në shtëpi je me familjen tate, s’kam lidhje ke shpia jote. 
Maksim Liço – Jo, s’e kam këtu familjen unë. 
Fiksi – Juve nga jeni me origjinë? 
Maksim Liço – Nga Përmeti jam unë. 
Fiksi – Ndonjë fëmijë kështu, keni ju? 
Maksim Liço – Kam dy djem. Moshë e madhe, se unë jam 51 vjeç. 

Takimi i dytë në zyrën e shoqatës “Jetimët në fokus” 
Maksim Liço – Urgjentisht të regjistrohesh. 
Fiksi – Të klasës së tetë? 
Maksim Liço – Po, të klasës së tetë. 
Punonjësi i shoqatës së jetimëve – Çfarë moshe ke një herë? 
Maksim Liço – 16 vjeç, po hë se e regjistrojmë. Do e regjistrojmë si jetim. Bjeri të keqen sa më parë tani. Dëftesa e klasës së nëntë, dy fotografi, certifikatat, të vdekjes, të asaj… 

Skandali i punësimit në Sarandë

Një tjetër skandal i zbuluar në 17 gusht të këtij viti ishte ai i Agron Canes, sekretarit të deputetit të Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Koço Kokëdhima, i cili i kërkoi një gruaja, përkatësisht Elvira Gegës, në këmbim të një vendi pune, favore seksuale me të bijën e saj të mitur. Në video, e publikuar nga News24, shfaqej e dëgjohej Cane, i cili ofronte punë në këmbim të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me 14-vjeçaren.

Numri i jetimëve në vendin tonë 
Sipas një raporti të veçantë të vitit 2013 të Avokatit të Popullit, në vendin tonë ka rreth 31 mijë fëmijë jetimë. Ata ndahen në dy kategori, në jetim socialë, numri i të cilëve rritet nga viti në vit për shkak të problemeve sociale, kryesisht varfërisë, dhe jetimë biologjikë, fëmijë që kanë humbur prindërit, të braktisur në maternitet apo në disa raste ekstreme edhe në rrugë apo në kosha plehrash. Nga 31.000 fëmijë jetimë në mbarë vendin, vetëm 400 prej tyre trajtohen në 9 qendra rezidenciale qeveritare dhe 360 
të tjerë në 16 qendra joqeveritare (OJF).