16 nëntor 2015 – Prej rreth 3 javësh, me dhjetëra prindër të Durrësit kanë ngritur problemin e ushqimit të fëmijëve të tyre në çerdhe, kopshte e konviktet publike, të cilat varen nga bashkia e qytetit. Fillimisht, ankesat e tyre prindërit i dërguan në Drejtorinë Arsimore Rajonale ku u mbajt një takim urgjent, dhe problematika iu përcoll kreut të bashkisë së Durrësit Vangjush Dako.
Ankesat kanë të bëjnë kryesisht me standardet e produkteve ushqimore që konsumojnë të vegjlit. Prindërit pohojnë se fëmijët e tyre kanë refuzuar ushqimin që iu gatuhet në mensat e këtyre institucioneve publike. Orizi nuk zien, makaronat nuk kanë shije, fasulet nuk ziejnë, janë të përziera, djathi nuk ka shijen e tij karakteristike. Në shumë raste edhe mishi nuk është i konsumueshëm. Fëmijët kanë shumë ankesa në lidhje me produktet ushqimore që u serviren nga kuzhinat e çerdheve dhe të kopshteve, ndërsa nxënësit më të rritur të konvikteve të shkollës së Mjeshtërisë Sportive dhe asaj profesionale, pothuajse e kanë braktisur mensën e konvikteve.
Prindërit e kopshtit “1 Maji” iu drejtuan personalisht titullarëve të bashkisë, pasi vunë re që fëmijët e tyre ishin thuajse të pangrënë fare në kopsht.
/K.H. portali DurresLajm/