Braçe, akuza Berishës. Jaka: Një kompani ministrash fshihet pas përfituesit

Një kompani private e përzgjedhur nga qeveria në ikje do të përfitojë 39 euro për çdo zhdoganim të subjekteve me vlerë mbi 1 mijë euro. Qeveria në ikje miratoi një koncesion që ia jep skanimin e kontejnerëve në dogana një kompanie me emrin ‘S2 Albania’. Ky shërbim do të jetë si monopol, ndërsa ligji detyron me forcë tregtarët dhe individët të paguajnë tarifën, edhe atëherë kur nuk e marrin shërbimin. Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, e denoncoi skandalin me anë të publikimit të dokumenteve në rrjetet sociale, ndërsa kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, avancon edhe më tej në akuzën e tij, duke thënë se koncesioni është marrë nga kompanitë e ministrave aktualë. Çdo tregtar apo individ që importon mbi 1 mijë euro produkte do të paguajë shumë shpejt në doganë, veç taksave për shtetin, edhe një tarifë shtesë 39 euro. Paratë nuk i shkojnë buxhetit, por një kompanie private të përzgjedhur nga qeveria. Dy muaj para zgjedhjeve, qeveria në ikje miratoi një koncesion që ia jep skanimin e kontejnerëve në dogana një kompanie me emrin ‘S2 Albania’. Shërbimi transferohet si monopol, ndërsa ligji detyron me forcë tregtarët dhe individët të paguajnë tarifën, edhe atëherë kur nuk e marrin shërbimin. Kodi doganor i kufizon doganat të mos skanojnë më shumë se 12 për qind të kontejnerëve. Por qeveria e ka vendosur tarifën mbi të gjithë, edhe për ata që nuk skanohen. Madje përmes një manovre tjetër ligjore, tregu është zgjeruar edhe më shumë. Fillimisht kur ligji kaloi në Parlament, përcaktohej se tarifa do të paguhej nga kontejnerët dhe automjetet e tjera në doganë. Por në kontratën koncesionare, kjo është ndryshuar dhe detyrimi është vendosur mbi deklaratat doganore. Përmes këtij ndryshimi, të ardhurat e privatit rriten me disa herë, sepse një kamion mund të ketë deri në 20 e madje më shumë deklarata njëherësh. Si rezultat, në shumë raste, koncesioni prodhon edhe paradokse duke bërë që tarifa e arkëtuar nga privati të jetë disa herë më e lartë se taksat që merr shteti. Sipas Ministrisë së Financave, nga ky koncesion privati do përfitojë 12.5 milionë euro në vit. Por disa ekspertë thonë se kostoja do të jetë shumë më e lartë, deri në 20 milionë euro në vit. Deputeti Erjon Braçe, duke bërë një llogari të thjeshtë, thekson se meqë pagesa është 39 euro për çdo deklaratë doganore, kemi të bëjmë me rreth 12.480.000 euro për çdo vit. Kontrata është nënshkruar nga Berisha për: 15 vjet, që në total bëjnë 187.200.000 euro. Sipas Braçes, kjo është shuma që do të përfitojë koncesionari i Sali Berishës me paratë e shqiptarëve.Dhoma e Tregtisë kundërshton me forcë koncesionin për skanimin e kontejnerëve në dogana, duke e cilësuar atë si të dyshimtë dhe jotransparent. “Dhoma është shprehur kundër koncesionit që në fazat e para. Realisht ishte një mungesë e transparencës, sidomos për sipërmarrjen shqiptare për ta bërë të qartë se cilat janë tarifat, cili është shërbimi që sipërmarrja merr dhe njëkohësisht, cilat janë kostot”, thotë kreu i Dhomës së Tregtisë Nikolin Jaka. Kryetari i Dhomës së Tregtisë thotë se tarifat e larta rrisin koston për biznesin vendas duke e bërë atë më pak konkurrues në tregun e brendshëm, por edhe atë rajonal. “Normalisht që cenojnë konkurrueshmërinë, por jo vetëm cenimin e saj dhe një tregu konkurrent në vendin tonë, por janë edhe përfitime të padrejta, të cilat rëndojnë kostot e biznesit nga ana tjetër”, tha Jaka. Koncesionimi në seri i shërbimeve publike si monopole tek privatët ka qenë një nga kurset më të preferuara politike të qeverisë në 5 vitet e fundit. Ai nisi me kartat e identitetit dhe më pas vazhdoi me kasat fiskale, pullat e akcizës, ngjyrosjen e karburanteve dhe shumë shërbime të tjera. Në total kostoja e tyre mund të shkojë deri në 200 milionë euro në vit. Zoti Jaka akuzon se këto janë kompani të ministrave. “Realisht një qeveri 8-vjeçare, i ka bërë këta ministra të mendonin më mirë mbase për të ardhmen e tyre, por që është për t’u diskutuar dhe për t’u bërë transparente procedura e dhënë lidhur me shërbimet që kanë qenë në dispozicion të administratës publike”, thotë Jaka. Tregu i koncesioneve ka krijuar në Shqipëri një buxhet paralel me atë të shtetit. Për dhjetë vitet e ardhshme kostoja e tyre mund të shkojë deri në 2 miliardë euro ose 20 për qind e Prodhimit aktual Kombëtar, para që do paguhen të gjitha nga qytetarët, si taksa të fshehura të cilat nuk shkojnë në buxhetin e shtetit, por në llogaritë e monopoleve private.

Nikolin Jaka

“Realisht një qeveri 8-vjeçare, i ka bërë këta ministra të mendonin më mirë, mbase për të ardhmen e tyre, por që është për t’u diskutuar dhe për t’u bërë transparente procedura e dhënë lidhur me shërbimet që kanë qenë në dispozicion të administratës publike”

 

(gazeta Shqip)