TIRANE, 12 shkurt 2014 -E perditshmja “Panorama” shkruan sot se Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, është përfshirë në një skandal të vërtetë diplomatik. Ministria e Jashtme ka hapur letrën që Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, i ka kthyer si përgjigje kryetarit të Komisionit të Medias, Genc Pollo, lidhur me kërkesën e tij për asistencë ligjore, për amendamentin e propozuar nga mazhoranca për ndryshimin e ligjit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).
Përgjigjja e shkresës së Pollos ka mbërritur në datën 5 shkurt, por ajo nuk ka përfunduar në duart e deputetit të PD. Shkresa zyrtare është paraqitur më datë 10 shkurt në Komisionin e Medias nga nënkryetari i Komisionit, Alfred Peza, ndërkohë që vetë kryetari i këtij Komisioni nuk kishte ende dijeni për përgjigjen e shkresës së tij.
Burimet nga Kuvendi bëjnë më dije se përgjigjja e sekretarit të KiE, Thorbjorn Jagland, është dërguar nëpërmjet misionit diplomatik në Ministrinë e Jashtme në Tiranë.
Shkresa është hapur në ministrinë e Jashtme dhe më pas një kopje e saj u është dërguar deputetëve të mazhorancës në komisionin e Medias, duke shkelur haptas të drejtën të paracaktuar në nenin 36 të Kushtetutës ku sanksionohet se Liria dhe Fshehtësia e korrespondencës ose e cdo mjeti tjetër të komunikimit janë të garantuara.





