Prej katër muajsh punimet që nisën për ndërtimin e shkollës së re në qendër të Durrësit janë ndërprerë. Katër muaj ka pritur Bashkia e Durrësit që Ministria e Kulturës të firmosë lejen arkeologjike për fillimin e punimeve për shkollën e nëntëvjeçare “Marie Kaçulini” në qendër të Durrësit, pranë pallatit të sportit, duke shtyrë kështu edhe për katër muaj të tjerë, sorollatjen e 1100 nxënësve në shkolla të ndryshme.  

Mësuesit e shkollës të gjithë pa përjashtim kanë ngritur zërin duke hamendësuar edhe faktin se mos truallit të shkollës së tyre i ka dalë pronari. Në një postim të saj në rrjetet sociale, mësuesja e ciklit të ulët në këtë shkollë, Eda Katroshi, me një karrierë 25-vjeçare në mësimdhënie, ngre shqetësimin e saj për këtë vonesë të tejzgjatur në fillimin e punimeve dhe indiferencën totale të institucioneve për t'u shpjeguar nxënësve, prindërve dhe stafit pedagogjik se çfarë po ndodh realisht (ne fund të shkrimit gjeni reagimin e mësueses Katroshi).  

Në fillim të 2017-s godina ekzistuese u shemb për t’i lënë vendin ndërtimit të shkollës së re me vlerë 860 milionë lekë, nga buxheti i Bashkisë së Durrësit. Por bashkia nuk kishte marë lejen nga Instituti i Arkeologjisë për të zhvilluar punime. Firma i nisi punimet me vrull duke shembur godinën e vjetër, por gërmadhat e godinës së vjetër janë po aty edhe pas katër muajsh, ndërkohë që afati për ndërtimin e shkollës është 240 ditë kalendarike, duke nisur nga janari i këtij viti.

Si rezultat fillimi i punimeve nuk ka nisur ende, pasi kërkohej edhe leja arkeologjike, duke bërë që  afati për ndërtimin e shkollës të shtyhet.

Sipas kontratës që është lidhur me bashkinë firma ndërtuese duhet të dorëzojë në fund të muajit gusht shkollën e përfunduar. Godina është planifikuar të jetë 3 katëshe me opsion për ndërtimin e një kati shtesë në të ardhmen. Sipas burimeve nga bashkia, afati i punimeve do të shtyhet deri në muajt e parë të 2018-s si rezultat i vonesave të krijura nga Instituti Arkeologjik.

Nga 1050 metra katror që ishte godina e mëparshme e shkollës, është planifikuar që sipërfaqja e çdo kati të jetë 1550 metra katror. Në lidhje telefonike Arben Peza, drejtori i shkollës “Marie Kaçulin”  në një komunkim me “DurrësLAjm”, pohoi se “nxënësit pas nisjes së punimeve janë shpërndarë në dy shkolla, tek e mesmja e përgjithshme “Leonik Tomeo” po studiojnë fëmijët e klasave nga e para tek e pesta, ndërsa në shkollën e Mjeshtërisë Sportive “Bernardina Qeraxhia” po studiojnë nxënësit e klasave nga e gjashta tek e nënta. Në të dy shkollat fëmijët studiojnë në turnin e dytë”.

Godina e shkollës “Marie Kaçulini” ishte ndërtuar rreth viteve 60, duke qenë një prej shkollave me më shumë probleme në të gjithë Durrësin si rezultat i amortizimit të saj. Në vitin 1970  shkolla emërtohej “Nako Spiro” dhe aty ka filluar veprimtarinë  teknikiumi i fiskulturës me 43 nxënës. Një periudhë kohe ka shërbyer edhe si shkollë e mesme ekonomike pa shkëputje nga puna.