Reshjet e dendura të shiut të cilat kanë nisur prej orëve të para të mëngjesit të sotëm në Durrës, kanë shkaktuar përmbytje në zona të ndryshme të qytetit si dhe bllokimin e qytetarëve dhe automjeteve.
Autobusi i cili përshkon linjën e Unazës në Durrës, ka mbetur i bllokuar prej orës 8 e 30 të mëngjesit deri në orën 11:15 minuta, në zonën pranë stadiumit “Niko Dovana” në lagjen nr.18.
Qytetarë të shumtë janë detyruar të presin për disa orë për të mbërritur në destinacionin e tyre, ndërsa për ta arritur këtë gjë është dashur ndërhyrja e forcave të zjarrfikëses.
Në videon e mbërritur në redaksinë e “DurrësLajm”, duket momenti kur zjarrfikësja iu vjen në ndihmë qytetarëve të cilët kanë mbetur peng të motit kaotik që ka përfshirë Durrësin.





