Federata Franceze e Regbisë (FFR) urdhëroi një auditim pas ankesave të disa lojtareve ndërkombëtare të regbisë 7, mbi praktika të cilësuara si “abuzive” nga një fizioterapist i ekipit. Çështja çoi në shkarkimin e trajnerit të përfaqësueses kombëtare, David Courteix, si dhe të drejtorit mjekësor të FFR-së, Jacques Girardin, të cilët mohuan çdo përgjegjësi.

Sipas asaj që raporton “L’Équipe”, në vitin 2019 një lojtare kyçe e përfaqësueses franceze, e cila vuante nga pubalgjia, denoncoi se gjatë një prej seancave fizioterapisti kishte vendosur dorën mbi pjesën e saj intime. Fizioterapisti, i cili kërkoi ndjesë, pretendoi se bëhej fjalë për një pakujdesi. Në atë kohë nuk u morën masa parandaluese apo disiplinore ndaj tij, pasi “nuk ishte paraqitur një ankesë formale”.

Tre vjet më vonë, një tjetër lojtare e ekipit, e mitur në moshë, gjithashtu u ankua për të njëjtin fizioterapist, duke pretenduar se një trajtim i kryer pranë pjesëve intime i kishte shkaktuar shqetësime të konsiderueshme. Si pasojë, drejtues të federatës vendosën që ai të mos trajtonte më lojtare të reja dhe kërkuan një raport mbi situatën.

Më në fund, fizioterapisti u njoftua për pezullimin e menjëhershëm. Në atë kohë, ai e cilësoi vendimin si brutal dhe të padrejtë, duke dërguar një “e-mail” në departamentin e Burimeve Njerëzore ku shprehte ankesën se ëndrra e tij olimpike ishte ndërprerë. Auditimi i fundit i kërkuar nga FFR konkludon se brenda përfaqësueses femërore të regbisë ka ekzistuar një “kulturë heshtjeje”, e cila ka krijuar një ndjenjë të përgjithshme pasigurie në ekipin e vajzave të ragbisë që luhet me shtatë lojtare.