*Gjykata vendos që pronari i truallit të dorëzojë shtëpinë

Një qytetar durrsak ka gjetur një mënyrë krejt origjinale për të protestuar ndaj gjykatës dhe prokurorisë së Durrësit. Mikel Sholla, 68 vjeç, durrsak i vjetër, ka dalë me një pankartë para derës së gjykatës, duke i bërë thirrje institucioneve më të larta të gjyqësorit, të kontrollojnë vendimet e gjykatës së Durrësit, që bien ndesh me njëra-tjetrën. “Shtëpia është tjetërsuar dy herë, është shitur dy herë nga firma ndërtuese e Rrapush Hoxhollit. Ai është arrestuar për mashtrim në Tiranë nga policia për shitje më shumë se një herë të ndërtimeve, e ka denoncime për të në Durrës, por është liruar, pa i hyrë gjemb në këmbë.”

Sholla figuron pronar i një trualli në lagjen numër 11, vetëm 200 metra larg prej godinës së gjykatës dhe prokurorisë së Durrësit. Truallin ia ka dhënë për ndërtim firmës së ndërtimit, ku përfitoi 150 metra katror banesë në 2015-n. Por ndërtuesi e ka shitur më shumë se dy herë të njëjtin ndërtim. Gjyqi ka vijuar me vite. Sholla e ka përfituar të drejtën e pronësisë në gjykatën e shkallës së parë e në Apel për banesën ku jeton. Në 2015-n, në mungesë të tij, një prej blerësve të pronës ka hapur sërish gjyq.

“Gjykata ka zhvilluar seancat gjyqësore në mungesën time, ka marrë vendim dhe shtëpia i është kthyer dikujt tjetër. Erdhi përmbarimi, ngjiti një letër në mur e më kërkoi të liroja vullnetarisht shtëpinë time! Medet thashë, unë s’dija gjë fare! As nuk isha lajmëruar nga gjykata. Është e njëjta gjykatëse që i bën këto vendime. Kam kërkuar ndryshimin e trupit gjykues, se po e njëjta gjykatëse ka dhënë disa vendime për këtë çështje”, thotë qytetari për “DurrësLajm”.

Në pankartë qytetari u kërkon “rishikim të vendimeve gjyqësore Presidentit të Republikës, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ministrit të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, ambasadorit amerikan”.

K.H.