Një ngjarje tronditëse ka marrë një kthesë të papritur në Greqi, ku një vajzë 19-vjeçare ka pranuar se ka falsifikuar mesazhe telefonike, duke shtyrë të atin të kryente një vrasje tragjike. Viktimë mbeti 33-vjeçari Erjon Pelivani, i cili rezulton të jetë i pafajshëm.

Ngjarja ndodhi më 9 janar 2024 pranë një fabrike çimentoje në Volos, ku 51-vjeçari Fatmir Tarellari nga Poliçani, akuzohet se i ngriti një kurth kunatit të tij, të cilin e qëlloi për vdekje me një pushkë gjahu.

Sipas dëshmisë së fundit të dhënë në Gjykatën me Juri të Përzier të Larisës, vajza e të pandehurit kishte falsifikuar mesazhe në celularin e saj, duke bërë që i ati të besonte se Pelivani e kishte përdhunuar atë kur ishte e mitur. Mesazhet, të cilat ishin shkëmbyer me të dashurin e saj, ishin modifikuar në mënyrë që të dukeshin sikur vinin nga 33-vjeçari.

Gjithçka nisi kur pronarja e banesës ku jetonte vajza e re e telefonoi të atin, duke e njoftuar se nuk kishte marrë pagesën e qirasë, edhe pse ai ia kishte dërguar vajzës paratë rregullisht. Në përpjekje për të justifikuar mungesën e pagesës, vajza pretendoi se ishte shantazhuar nga daja, i cili i kishte marrë paratë në këmbim të mospublikimit të fotove komprometuese.

Hetimet e Policisë Helenike zbuluan falsitetin e mesazheve dhe ngjarja mori përmasa dramatike, pasi rezultoi se Pelivani ishte vrarë në mënyrë të padrejtë. 51-vjeçari, në gjyq, u shpreh se ndodhej në një gjendje tronditjeje të thellë kur mori vesh “çfarë i kishte ndodhur” vajzës së tij.