Dy pishina me standarde moderne janë përuruar dje nga Komuna e Kumanovës në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Sipas gazetarit Rijad Murati, investimi kap vlerën e 3.1 milionë eurove. Por ato janë ndërtuar në një vendbanim me maqedonas.

Ai denoncon këtë investim racist për popullatën shqiptare atje.

Ja çfarë shkruan Murati:

“Dy pishina me standarde moderne dje janë përuruar nga Komuna e Kumanovës. Investimi që kap vlerën 3.1 milion euro është bërë në një vendbanim maqedonas. Ky është një projekt kryekëput racist sepse në këtë zonë mund të freskohen vetëm maqedonasit pasi shqiptarëve nuk ju garantohet aspak siguri.

(Për ata që nuk e njohin si zonë, 100 metra në afërsi të pishinave ndodhet shkolla e mesme ekonomike “Pero Nakov”, ku shqiptarët pas vitit 2001 nuk kanë mundur të vijojnë mësimin pikërisht për shkak të mungesës së sigurisë).

Në afërsi të këtyre pishinave ndodhet edhe parku në të cilin Komuna ka investuar miliona euro për pista vrapimi, terrene tenisi, futbolli, skijimi etj. Nga ana tjetër, parku që ndodhet në pjesën e qytetit ku jetojnë shqiptarët është lënë në harresë me vite nga komuna, siç janë anashkaluar në përgjithësi lagjet shqiptare të Kumanovës. Për pishina te vendbanimet shqiptare as që mund të bëhet fjalë.

Kryetari i Komunës Zoran Damjanovski, i cili fitoi mandatin e fundit duke kërkuar ndihmën e shqiptarëve tani duhet të jep sqarime pse i harron ata kur duhet të bëhen investime edhe në zonat shqiptare.

Në pritje të një shpjegimi të ‘logjikshëm’ nga ai, unë vetëm mund të konstatoj se investimet e Komunës së Kumanovës që udhëhiqet nga LSDM-ja, tregojnë sa ngjashëm funksionojnë komunat që drejtohen nga opozita maqedonase dhe pushteti ekzekutiv që është në dorë të VMRO-DPMNE-së, kur bëhet fjalë për investimet në vendbanimet ku jetojnë shqiptarët”.