Një skandal seksual trondit Premier League angleze. Dy 19-vjeçarë që luajnë në të njëjtin klub janë arrestuar të premten me akuzën e përdhunimit dhe më pas janë liruar me kusht në pritje të hetimeve të mëtejshme.

Tabloidi “Daily Mail”, zbuloi se dhuna seksuale ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, ku viktima e pretenduar ka denoncuar ngjarjen në polici pak orë më vonë, duke pretenduar se e ka pësuar sulmin brenda stadiumit të klubit, para ndeshjes.

Për momentin, futbollistët nuk janë suspenduar, ndërsa detajet janë sekret.

Sipas informacioneve nga mediat britanike, njëri nga dy lojtarët është ndaluar nga policia direkt në stadium.

Fillimisht është marrë në pyetje në stadium në prani të një punonjësi të klubit dhe më pas është dërguar në komisariat, ku ka kaluar një natë dhe u mor sërish në pyetje. Më pas u lirua me kusht.

Djali tjetër 19-vjeçar u arrestua të nesërmen dhe u mor në pyetje nga oficerët me akuzën e përdhunimit përpara se të lirohej gjithashtu me kusht.

Klubi i përfshirë i tha tabloidit “The Sun” se “çështja tani është në duart e policisë dhe nuk mund të komentojnë më tej”.