27 dhjetor 2014 –  Skandal në Serbi me huliganin Ivan Bogdanov, i cili u rifshfaq në ndeshjen e 14 tetorit të Shqipërisë në Beograd. Mediat serbe raportojnë se është zhdukur incizimi nga tribuna veriore e stadiumit të Partizanit, pikërisht nga sektori ku hyri në fushë ultrasi Bogdanov.

“Huligani i tmerrshëm, Ivan Bogdanov, hyri në fushën e lojës kundër Shqipërisë me ndihmën e policëve që po siguronin stadiumin”, – shkruante dje gazeta “Kurir”, duke iu referuar raportit të Federatës së Futbollit të Serbisë. Është kjo e fundit që tashmë akuzon forcat e rendit, të cilët sipas federatës janë bërë palë me Ivanin e tmerrshëm, i cili u bë protagonist edhe në takimin e ndërprerë të 14 tetorit. Një konkluzion i tillë u nxor nga Mirko Milivoje, i cili është komisioneri për sigurinë nga Federata e Futbollit të Serbisë. Në raportin zyrtar të policisë thuhet se Bogdanov dhe tifozët e tjerë e thyen qëndresën e xhandarmërisë, mirëpo sipas federatës serbe kjo është një gjë e paimagjinueshme.

Mirëpo, për t’ia shtuar më shumë vërtetësinë akuzave të komisionerit për siguri, shtohet edhe fakti se incizimi nga tribuna veriore është fshirë, duke zhdukur kështu disa të dhëna të rëndësishme, që kishin të bënin me përgjegjësinë e forcave të rendit.

“Është shumë i çuditshëm fakti që xhirimet e kamerave të sigurisë në sektorin ku gjendej i pozicionuar Bogdanov janë fshirë, ndërkohë që ato duhej të përdoreshin për të përcaktuar përgjegjësit për hyrjen e huliganëve në fushën e lojës. Bogdanov ishte i pranishëm në tribunën veriore të stadiumit”, – ka thënë zyrtari i federatës serbe për mediat vendëse.

Ndërkohë, në momentin që ndodhën trazirat në fushë, huligani Bogdanov u kap nga kamerat i shoqëruar nga disa persona të tjerë, që mendohet se janë pjesë ekstremiste e tifozërisë së Cervena Zvezdës. Edhe pse Bogdanov ishte i dënuar për të mos shkelur në stadiumet e Europës për pesë vite, pas djegies së flamurit shqiptar në ndeshjen Itali-Serbi, ai u rishfaq si i paprekshëm në stadiumin e Beogradit. Futja e tij në fushë u bë çështje, madje shokoi edhe vetë kreun e FIFA-s.