1 dhjetor 2015 – Një vullnetare e Korpusit të Paqes ka denoncuar se disa zyrtarë amerikanë ngacmojnë seksualisht femrat në Shqipëri. Televizioni amerikan CBS News ka bërë publik këtë skandal të këtij Korpusi, që shërben aktualisht në 65 vende në të gjithë botën. Mësohet se një në pesë vullnetarë, nga 7 mijë në total, janë sulmuar apo ngacmuar seksualisht, në bazë të një pyetësori anonim të kohëve të fundit të bërë nga siguria e Korpusit të Paqes. Raporti tregon gjithashtu se gati gjysma nuk i raportojnë sulmet.

Bonnie Scott ishte një vullnetar i Korpusit të Paqes në Shqipëri. Në fillim të këtij viti, thotë ajo, selia e Korpusit në Shqipëri është alarmuar se një nga zyrtarët e saj amerikanë ka sulmuar seksualisht disa femra shqiptare. Menjëherë më pas, zyrtari ka dërguar një email, duke thënë se ai jepte dorëheqjen për arsye personale. Më pas, Korpusi i Paqes ka shkarkuar Bonnie Scott, për mosplotësim dokumentesh. “Atij iu kërkua mundësia e dorëheqjes për të fshehur ngacmimin seksual. Ata donin që ky skandal të fshihet. Ata më larguan 10 ditë, pasi abuzuesi dha dorëheqjen”, shton ajo.

Deri më tani, drejtësia shqiptare nuk ka lajmëruar për ndonjë hetim të mundshëm për këtë skandal, atë të ngacmimit seksual të zyrtarit amerikan ndaj femrave shqiptare në këtë Korpus. Megjithatë, nga inspektimi i përgjithshëm vërehet se personeli i Korpusit të Paqes akuzohet për dhjetëra raste të tilla në të gjithë botën.

Aktualisht, në vendin tonë ndodhen 82 vullnetarë që japin ndihmë në shëndetësi, komunitet, zhvillim ekonomik dhe mësimin e gjuhës angleze. Ata janë të trajnuar, si dhe kanë mësuar edhe gjuhën shqipe. Ndërkohë, duke u ndalur tek abuzimet e këtij korpusi, televizioni amerikan CBS News tregon gjatë dy viteve të fundit më shumë se 500 vullnetarë kanë raportuar eksperienca të ngacmimeve seksuale. Por, CBS News raporton se denoncuesit janë kritikuar dhe janë kërcënuar me pushim nga puna.
Inspektori i përgjithshëm raporton se raste të shumta të personelit të Korpusit të Paqes, të akuzuar në sulmet seksuale, të dorëhequr më parë, janë pranuar sërish të punojnë për agjencinë qeveritare. Në vitin 2014, raporti paralajmëroi procesin e shqyrtimit për të ripunësuar këta persona, me sjellje të pahijshme në të kaluarën.

/portali DurresLajm/