Nga Gjergj Thanasi
Në një shkrim timin te “Dita” dhe “Dyrrah” kam këmbëngulur që, në rast pranimi në Shqipëri të armatimit kimik të Asadit, për arsye të larta shtetërore, pra jo partiake apo më keq akoma vetjake, duhej me patjetër, që aleatët amerikanë të pajisnin dhe stërvitnin një nënrepart (kompani) kundërkimike të ushtrisë shqiptare. Niveli i pajisjes dhe i stërvitjes së kësaj kompanie do të ishte,më së paku, sa ekuivalenti i saj në ushtrinë sllovake. Tani gjykoj se mendimi im, ndonëse i saktë, është i pamjaftueshëm. Siç shkruan Noli te romani në vargje Skënderbeu: “Nuk është palla hekuri i dheut, por krahu i fortë i Skënderbeut”. Nuk mjaftojnë pajisjet, por duhet edhe faktori njerëzor.
SI TE “HANI I DALI BIDULIT”
Fatkeqësisht trashëgimia berishiane në fushën e sigurisë kombëtare, që nga poroziteti i kufijve deri te livadhisja në Shqipëri e agjenturave të huaja, është e nivelit “bir Selman i nënës kë të qaj më parë!”. Te ne terroristët e huaj hyjnë e dalin si te “hani i Dali Bidulit”, pa porta fare. Te ne këta terroristë pajisen me pasaporta biometrike nga sistemi dhe njerëzit përgjegjës për këtë maskarallëk gradoheshin në detyrë nga “ancien régime”.
“BARKU” I GËRDECIT
Serbët ishin ulur këmbëkryq te ne, në Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes. Te ne zona jo të vogla të territorit nga Tropoja në Bulqizë, nga Bathorja në Lazarat janë pjesërisht jashtë kontrollit të shtetit. Te ne produkte të spiunazhit serb, si famëkeqi Fazlliç, u bënin “zbor” oficerëve madhorë të policisë dhe ushtrisë shqiptare deri dhe ministrave e deputetëve. E kam theksuar dhe e përsëris se, barku që polli Gërdecin, nuk është shterpëzuar ende pas 15 marsit 2008!
MBESAT E POLITIKANËVE
Në kuadrin a bashkëpunimit kriminal serbo-shqiptar në fushën e trafiqeve të armatimeve ka ndodhur edhe më e pamenduara. Ne, që u bëmë të famshëm në botë për demontimin e përgjakshëm të municioneve në Gërdec, kemi demontuar municione kimike serbe në ULP Mjekës. Disa nga politikanët, që nxjerrin mbesat në demonstrata kundra mbërritjes në Shqipëri të armëve të Asadit, kanë pasur dijeni dhe familjarët e tyre kanë përfituar para nga demontimi i municioneve kimike të prodhimit serbo-sllav në uzinën e Mjekësit.
FABRIKË PËR EKSPLOZIVA DHE JO PËR KIMIKATE
Është goxha skandal vetë fakti, që edhe pas tragjedisë së Gërdecit, ku nuk mungonte komponenti serb (prania e predhave serbe për mortaja 120 mm në grup-depot e Memajt, në Romanat, pranë Durrësit), vazhdohej të bëhej pazar me serbët për të demontuar municione “made in Serbia”. Ky skandal shkon në kufijtë e gjëmës, kur kemi të bëjmë me demontim municionesh kimike serbe. Uzina e Mjekësit është uzinë për prodhim lëndësh plasëse me teknologji suedeze të firmës së famshme “Bofors”, sot pakëz demode-obsolete. Me ndihmën e aleatëve dhe partnerëve. kjo uzinë është atrecuar edhe për demontim municionesh për armë këmbësorie dhe municione artilerie të kalibrave të ndryshëm. Uzina si teknologji, si luk i jashtëm (shiko wikileaks-at përkatëse), si nivel sigurie, është edhe mbi simotrën e saj të Poliçanit. Gjithsesi, të demontosh municione kimike, është shumë më e vështirë dhe shumë më e rrezikshme sesa të demontosh municione për armët e këmbësorisë apo edhe predha të zakonshme tip HE, tip kundërtanke, unitare ose jo, kundër-fortifikim etj. etj.
NË NJËQINDVJETORIN E PAVARËSISË
Kur mandatit të dytë të kabinetit Berisha po i vinte fundi, nga tamahqarllëku për të bërë lekë, po i rritej oreksi, duke mos gjetur më asnjë pengesë juridike, morale apo edhe vetë frikë për një ndëshkim të mundshëm. Si i thonë fjalës, për të bërë lekë, dikasteri Imami “po i binte në top”. Në këtë kuadër u importuan nga Serbia me qëllim demontimi predha mortaje të kalibrit të rëndë. Ky fakt në vetvete, ky veprim ishte i turpshëm, sidomos për një Kryeministër, që na hiqej superpatriot në sytë e vëllezërve kosovarë. Madje, për koincidencë, kjo paudhësi ndodhi në Njëqindvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
PREDHAT
Nuk ishte hera e parë, që predhat e mortajave serbe transitoheshin nëpër Shqipëri drejt destinacioneve “ekzotike” si Teherani apo aeroporti i Goma-s në Republikën Demokratike të Kongos. Kësaj radhe, sipas dokumenteve përkatëse, predhat e mortajave serbe nuk vinin në Shqipëri për transitim-kontrabandim, por për demontim. Nga këqyrja e ambalazheve dhe të vetë predhave të mortajave serbe, arrihet në konkluzion që këto predha nuk ishin të zakonshme d.m.th. të tipit HE, që, sipas terminologjisë sovjetike, quhen predha thërrmuese, por ishin predha me aftësi mbajtëse të agjentëve agresivë kimikë. Sipas emërtesës së armatimit të ushtrisë titiste, këto predha janë municione për mortajat MB kalibër 120 mm tip M95.
AMBALAZHIMI
Ambalazhimi i predhave bëhet në kuti kartoni, një predhë, një kuti dhe më pas në arka druri dy predha në një arkë. Vetë predhat janë tip M64 P2. Pikërisht ky lloj municioni nuk është predha klasike e mortajës serbe 120 mm e llojit HE-thërrmuese. Bëhet fjalë për tjetër tip municioni. Për të siguruar më shumë informacion, u përdorën teknika investigative të huazuara nga investigatori Eliot Higgins (Brown Moses). Kështu u krye analizimi i numrave të partisë së prodhimit të fotografuara në arkat e ambalazhit të këtyre predhave mortaje.
LËNDË HELMUESE LUFTARAKE
Nga kjo analizë rezultoi se predhat ishin prodhime të vjetra, të para vitit 1990, të fabrikës së municioneve “Krushik”, në qytetin serb Valjevo. Për koincidencë, nuk është hera e parë që Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka kryer biznes me këtë fabrikë ushtarake serbe. Të paktën, në dy raste të dokumentuara, predha mortaje 120 mm dhe barut i kësaj fabrike janë importuar nga MEICO transit në Iran apo për të bërë rimbushjen me barut serb të predhave të vjetra sovjetike, kineze dhe të Poliçanit me qëllim eksportin e tyre drejt një vendi të Lindjes së Mesme. Nga ekzaminimi i predhave, rezultoi që nuk ishin predha thërrmuese, por predha speciale, të përshtatshme për t’u mbushur me agjentë fumogjenë (tym-prodhues) dhe agjentë agresivë kimikë, d.m.th. LHL (lëndë helmuese luftarake).
DËSHMIA E OFICERIT BOSHNJAK
Sipas dëshmisë audio dhe me shkrim të majorit Shemsudin Muminoviç, oficer zbulimi i divizionit Nr. 24 të ushtrisë myslimane boshnjake me vend-bazim në Zvinice, në maj të vitit 1995 çetnikët e së ashtuquajturës “Republika Serbska” goditën me mortaja kalibër 120 mm me municione kimike kolonat e përziera me refugjatë dhe me ushtarë myslimanë boshnjakë në dy lokacione, përkatësisht Konjeviç Polje dhe Nova Kasaba. Majori beson se LHL-ja e përdorur nga serbët ishte tri-kviniklidinil benzinate, helm që vepron në sistemin nervor duke dëmtuar aftësitë e njeriut pa e vrarë atë. Ambalazhet, e evidentuara nga boshnjakët në pozicionet fushore të mortajave serbe, mbanin të njëjtët numra të partive të prodhimit të me predhat e demontuara në Mjekës. Mbetet i paqartë rrugëtimi i këtyre predhave me mbushje kimike, sepse para vitit 1990 ato bënin pjesë në bazën e armëve kimike të JNA-së në Haxhiç afër Sarajevos, pastaj kaluan në duart e serbëve të Bosnjës dhe më pas municionet e mbetura kimike përfunduan në grup-depot e JV, afër Zlati Borit, në Serbi. Nuk kemi informacion nëse predhat e demontuara ishin bosh, pra pa LHL, apo ishin të mbushura me agjentë fumogjenë apo me LHL. Po ashtu nuk dihet nëse u demontuan, që të gjitha në Mjekës – gjysma e së keqes – apo disa prej tyre u trafikuan në drejtim të paditur. Kujtojmë se mortajat, qoftë edhe ato të rënda, kalibër 120 mm, janë tip artilerie, shumë i përshtatshëm për luftë guerilje dhe për goditje terroriste.
YLYFMATRAKË DHE AGURIDHE
Amerika, aleati ynë i vetëm strategjik, a mund t’u zërë besë autoriteteve shqiptare për rreth 1300 tonë armë e municione kimike të Asadit, kur edhe me armiqtë shekullorë serbë, për para, ne kemi shkelur edhe konventa ndërkombëtare të nënshkruara nga Shqipëria, që në kohën e qeverisë Meksi? Vështirë! Unë besoj fuqimisht se binomi Rama-Kodheli nuk është hajdut dhe i kriminalizuar si pararendësit Berisha-Imami, por kaq nuk mjafton. Për shkak të ngadalësisë në pastrimin e pisllëqeve të së kaluarës dhe për shkak të emërimit të ylyfmatrakëve dhe aguridheve në vende me spec për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, besoj se ekipi i ri rilindës, nuk ka kapacitete, ndonëse nuk i mungon dëshira dhe vullneti për të neutralizuar ndonjë tentativë për të bërë shumë lekë edhe me LHL-të e Asadit, apo për të përsëritur një Mega-Gërdec nga tamahqarllëku apo nga mendjelehtësia kriminale.
VERIFIKIM
Për të verifikuar demontimin e municioneve serbe kimike në Mjekës, si edhe trafikimin e tyre të mundshëm, me modesti, do t’u sugjeroja Ministres Kodheli dhe zonjushës Spiropali të kryenin verifikime. Kështu, nëse AKSHE-ja (Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve) ka dhënë leje për importimin e këtyre municioneve nga Serbia, apo nga firma fasadë malazeze si p.sh. MDI (Montenegro Defence Industries). Mund të verifikohen urdhrat e shërbimit, dietat etj, të makinave tip “Kampanjola” të policisë ushtarake dhe personelit të kësaj policie, nëse kanë shoqëruar mjete transporti me ngarkesë ushtarake nga Bozaj-Hani Hotit për në thellësi të territorit shqiptar. Mund të verifikohet bërja hyrje në magazinat e ULP-së (uzina e lëndëve plasëse) Mjekës të këtyre predhave serbe. Meqenëse gjatë demontimit të predhave speciale kimike, fumogjene etj. sasia e eksplozivit T 4 (RDX-heksogjen) është shumë e vogël krahasuar me demontimin e predhave thërrmuese tip HE të të njëjtit kalibër 120 mm, mund të konstatohet një indicie më shumë se çfarë lloj predhe mortaje serbe është demontuar në Mjekës. Për këtë mjafton të krahasohet sa lëndë plasëse del nga demontimi i të njëjtit numër predhash normale dhe sa faktikisht është bërë hyrje në magazinën e fabrikës. Nëse banda kriminale që komandonte më parë Ministrinë e Mbrojtjes ka zhdukur dokumentacionin, në regjistrat e doganave shqiptare kanë ngelur gjurmë të hyrjes së këtyre predhave serbe. Mjaftojnë dokumentimi në doganë i kësaj hyrjeje për t’i shkuar deri në fund kësaj afere. Më së paku, kjo aferë është turp kombëtar dhe hajdutëri. Më së shumti, është shkelje e marrëveshjeve ndërkombëtare, ku Shqipëria është palë nënshkruese, deri te, larg qoftë, ndihmë aktive për filiale të terrorizmit ndërkombëtar.
PËR ZBARDHJEN E AFERËS
Pas kësaj afere të municioneve kimike serbe në Mjekës as që ia vlen barra qiranë të diskutosh për kapacitete, aftësi dhe përvojë demontimi LHL-sh dhe municionesh në Shqipëri apo për aventura për asgjësim të një arsenali të stërmadh LHL-sh dhe armësh kimike si ai i Asadit të Sirisë. Besoj se ministrja Kodheli, si antipod i ish-ministrit Imami, krahas pjesëmarrjes në shfaqje teatrale për emancipimin e femrave, krahas caktimit se cila gazetare do të “inbedded” (bashkëshoqërojë) me trupat e NATO-s në manovrat në brigjet e Detit Baltik do të ketë prioritet edhe këtë aferë. Tashmë është detyra e ministres Kodheli dhe organeve të tjera shtetërore ta zbardhin këtë aferë, që na nxin faqen si shqiptarë dhe i krijon vështirësi diplomatike Kryeministrit Rama në vizitën e tij të afërt në Beograd.
Shënim: Opinioni i është dërguar “Dyrrah”-ut nga autori.





