Gazetari investigativ Gjergj Thanasi: Prapa kompanisë amerikane që do të bëjë skanimin e kontejnerëve qëndrojnë njerëz të dyshimtë serbo-malazezë, të cilët do të disponojnë çdo informacion për çfarë hyn dhe çfarë del nga Shqipëria

 

DURRËS, 8 gusht 2013 – Kontejnerët nën skanim jo nga shteti, por nga privati, ky është thelbi i një koncesioni monopol për të gjobitur subjektet importuese. Biznesi e vlerëson si gjobë tarifën prej 39 euro, që do të paguhet në dogana për shërbimin e skanimit të kontejnerëve. Një tarifë e tillë e përcaktuar për çdo deklaratë doganore do ta mbledhë S2 Albania, shoqëria e themeluar vetëm për këtë qëllim nga kompania Rapiscan Sistems, që fitoi të drejtën e marrjes më me koncesion të këtij shërbimi për 15 vjet. Përfaqësues të sipërmarrjeve që preken direkt nga aplikimi i kësaj takse, thonë se një gjë e tillë nuk ekziston në vendet fqinje.

Penalizohet kryesisht porti i Durrësit

Shpresa Prodani, presidente e kompanisë “Dyrrahsped”, më qendër në Durrës, thotë për TV AS se kjo tarifë do të dëmtojë edhe portin e këtij qyteti, ku kalojnë një sasi e madhe e mallrave transit që vijnë nga Kina e largët dhe shtete të tjera drejt vendeve të rajonit. “Si kompani që merremi me transport më duket një taksë goxha e rëndë për biznesin  dhe jo e justifikueshme duke parë edhe praktika t në vendet fqinje nuk kemi dëgjuar as nuk kemi parë që për çdo skanim të një kontejneri të paguhet një taksë që është diku deri në 39 euro. Kjo, mendoj, nuk është aspak konkurruese, qoftë për transportuesit, qoftë për portin e Durrësit, duke menduar që është një pikë, ku transitohen shumë kontejnerë dhe presupozohet që do ketë akoma flukse të tjera kontejnerësh kur flitet rreth 100 mijë kontejnerë që mund të kalojnë në portin e Durrësit. U jep mundësinë vendeve fqinjë që të jenë më shumë konkurrues se sa porti i Durrësit pa llogaritur dëmin që u bëhet kompanive transportuese shqiptare”, – tha Shpresa Prodani. Ajo thekson se ky shërbim bie ndesh edhe me sistemin doganor, i cili nuk lejon skanim të plotë të kontejnerëve. “Duke menduar që çdo kontejner të skanuar të paguajë këtë gjobë përsëri nuk qëndron dhe për një arsye tjetër sepse në sistemin doganor ka një risk. Ky risk prezupozon që jo gjithë ngarkesa do të skanohen por ndoshta 10për qind ose varet sa del me të kuqe në sistem për t'u skanuar”,- u shpreh Shpresa Prodani.

Korrupsioni

Gazetari investigativ Gjergj Thanasi e lidh këtë kontratë koncesionare edhe me cenimin e sigurinë kombëtare. Sipas tij prapa kompanisë amerikane që do të bëjë skanimin e kontejnerëve qëndrojnë njerëz të dyshimtë serbo-malazezë, të cilët do të disponojnë çdo informacion për çfarë hyn dhe çfarë del nga Shqipëria.

“Mund të ushtrojë konkurrencë të pandershme duke informuar konkurrentin tënd që çfarë mallrash po fut ti. Po ashtu individët që janë mbrapa kësaj firme që ka një emër të madh “Rapiscanel DD”, firmë shumë e njohur amerikane nuk janë amerikanë, por janë nga fqinjët tanë, që nuk na e duan të mirën, serbo-malazezë. Dyshohet, që është Anco Jukaniviçi, vëllait të padronit të Malit të Zi, Millajokanoviçi. Eshtë familje shqiptare katolike, kuislinge, e Malavitës që bashkëpunon klanin e Jukanoviçëve në Mal të Zi. Pra të tillë njerëzve u besohet dogana shqiptare. Gjëja më problematike e doganave shqiptare, kontrolli fizik”, -tha Gjergj Thanasi. Tirana zyrtare nuk e di se me cilën kompani ka negociuar për marrjen me koncesion të skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera. Kjo gjë mund të vërehet kur lexohen me kujdes dy dokumente shtetërore. Në pikën dy të Vendimit nr. 755, datë 2.11.2011, të Këshillit të Ministrave (Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të shërbimit të skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe miratimin e bonusit, në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë), flitet për miratimin e bonusit prej 8 për qind të pikëve për rezultatin teknik e financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse, që i jepet shoqërisë “Rapiscan Systems”. Në fund të emrit të çdo kompanie shënohet personi fizik apo juridik. Kështu, Ltd (limited company) tregon një biznes inkorporuar sipas ligjeve të Anglisë, Uellsit, Skocisë, Kanadasë, vendeve të tjera të Komonuelthit, Republikës së Irlandës, Qipros, dhe disa vendeve anglishtfolëse në Afrikë, si Gana ose Nigeria. Në Vendimin e cituar shoqëria “Rapiscan Systems” është LTD (shih “Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë” Nr. 157 1 dhjetor 2011, faqe 7523). Por nuk jepet adresa. Kurse në njoftimin e Ministrisë së Financave në buletinin e AKP-së, datë 18 shkurt, shoqëria “Rapiscan Systems” është Inc (Incorporated) me adresë “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 2805, Columbia Street Torrance, California, 90503”. Pa spekuluar se kush fshihet pas kësaj “ngatërrese”, bie në sy fakti që  kemi të bëjmë me një prokurim të tipit “propozim i pakërkuar”, që është bërë nga shoqëria “Rapiscan Systems LTD”, SA (GFI).

Edhe biznesi tiranas kundër

Alban Zusi, shef i departamentit të eksporteve, pranë Dhomës së Tregtisë, Tiranë në një intervistë për AS, tregon se kjo tarifë do të reflektohet në rritje të çmimeve për konsumatorët. “Ky nuk është një shërbim shtesë që i ofrohet biznesit dhe për këtë motiv nuk ka se përse ta paguajë biznesi. Pra, një procedurë inspektimit me skaner nuk është një shërbim shtesë, është thjesht një inspektim nga drejtoria e doganave, për të cilën është vetë kjo drejtori që duhet të marrë masa, duhet të gjejë fondet etj, për ta bërë këtë punë. Së dyti kjo është një kosto e shtuar e cila së fundmi do të rezultojë me koston e shtuar për xhepat e konsumatorëve. Çdo biznes normal këtë kosto do ta reflektojë në çmimin e produktit bazë që do të hidhet në treg. Në rastin më fatkeq kur bizneset mund të mos e kalkulojnë kjo do jetë një fitim i munguar për bizneset dhe rrjedhimisht një ulje e konkurrueshmërisë. Dhe në total gjithë këto para sepse bëhet fjalë për shumë para të vëna në dispozicion të këtij shërbimi, të gjitha këto para, miliona euro në vit të shkuara për këtë procedurë të inspektimit ndaj një kompanie private, janë para të munguara në ekonominë shqiptare. Janë para të cilat rrisin koston në total të produkteve të konsumimit shqiptarë, janë para që ulin konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare”, – tha Alban Zusi. Ai thotë se kontrolli fizik me skaner nga një kompani private ka krijuar situatë monopol, dhe qeveria e ka favorizuar atë për të fituar tenderin.

“Pa diskutim është një situatë monopoli. Ky mund të ishte mirë një shërbim që mund ta realizonte administrata publike, dogana shqiptare, mund të blinte një skaner, që nuk mund të kushtojë sa pagesa që biznesi do t’i bëjë në harkun e një viti kësaj kompanie, përkundrejt kësaj tarife”,- u shpreh Alban Zusi. Biznesi e ka kundërshtuar këtë vendim që kur ai ishte në formë drafti, por zëri i sipërmarrjes nuk u dëgjua. Zusi thotë se në shtator do të kërkohet nga qeveria e re shfuqizimi i këtij vendimi. Gjatë shqyrtimit dhe miratimit të kontratës koncesionare në parlament, opozita, tashmë mazhoranca e re, e kundërshtoi. Pritet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë qeveria e Edi Ramës, ndërsa biznesi e vlerëson të palogjikshme pagesën e kësaj tarife për një shërbim që më parë kryhej nga autoritetet doganore.

Info

Ministria shqiptare e Financave njofton se kompania amerikane nga Kalifornia “Rapiscan Systems” ka fituar të drejtën e marrjes me koncesion të skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, me ofertën qysh më 15.11.2012. Bie në sy fakti, që ministria e Financave thotë se ofertën kjo kompani e ka paraqitur më 15 nëntor 2012, por 13 ditë më parë, ka dalë një Vendim nr. 755, datë 2.11.2011 i Këshillit të Ministrave (Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të shërbimit të skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe miratimin e bonusit, në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë). Në pikën dy të Vendimit flitet për miratimin e bonusit prej 8 për qind të pikëve për rezultatin teknik e financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse, që i jepet shoqërisë “Rapiscan Systems”  Tarifa për këtë shërbim do të paguhet nga bizneset që importojnë apo eksportojnë mallra. Deri tani ky proces kryhej nga punonjësit e administratës tatimore, doganierët, të cilët pasi njiheshin me deklarimin përmes deklaratës tatimore me të dhënat dhe sasinë e mallit që ndodhjen në kontejnerin për zhdoganim, verifikonin fizikisht ngarkesën. Ky projekt është parashikuar të zbatohet minimalisht në pesë pika doganore kufitare përfshirë dhe portin e Durrësit. Sipas vendimit, që parashikon edhe kushtet e tenderit për përzgjedhjen e firmës koncensionare, në portin e Durrësit do vendoset të paktën një skaner fiks. Ndërsa vendndodhja për skanerët e tjerë do të përcaktohet nga autoritetet doganore bazuar në ndryshimin e fluksit dhe analizës së riskut. Në vendimin e Ministrisë së Financave mësohet se në këto pika doganore do të skanohen 100 për qind e kontejnerëve dhe automjeteve që transportojnë mallra. Ndërkohë në listën e mjeteve që do të skanohen mund të shtohen me kërkesës të autoritetit doganore edhe mjetet e transportit të udhëtarëve.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/