Tiranë, 25 korrik 2014 – Shuma e parave e vjedhur në bankën e Shqipërisë, mund të jetë edhe më e madhe nga sa është deklaruar nga dy të arrestuarit. Burime nga prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se është shtuar numri i personave në hetim. 

Në hetimet e saj Prokuroria ka ngritur dyshime se si për 4 vite nuk ka funksionuar auditi i bankës, ndërsa deklaron se do merren në pyetje punonjës të tjerë të bankës si edhe pronarë të lotove dhe kazinove, ku i arrestuari Ardian Bitraj ka deklaruar se ka shpenzuar paratë, ndërsa do të shihen edhe kamerat e sigurisë së Bankës së Shqipërisë. Brenda javës pritet të përfundojë edhe auditi në bankë.

Dy punonjësit e bankës, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, kanë grabitur një shumë marramendëse prej 600 milionë lekësh ose 4.3 milionë euro. Gjykata e Tiranës dha masën e arrestit me burg për dy ekonomistët të arrestuar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe moskallëzim krimi.

Mësohet se Ardian Bitraj me detyrë përgjegjës i sektorit arkës stok ka rrëfyer se prej katër vitesh në bashkë’punim me kolegen e tij ka nxjerrë nga ky sektor shuma të konsiderueshme lekësh që ishin bërë gati për tu hedhur në qarkullim dhe të tjera që ishin bërë gati për t’u asgjësuar. 

Ardian Bitraj ka rrëfyer se kishte katër vjet që merrte lekë nga arka stok i tërhiqte të gjitha me prerje 50 lekëshe i fshihte në trup dhe në këtë mënyrë i nxirrte nga banka. Keto shuma ai i ka shpenzuar në kazinotë e lagjes.

Në mënyrë që të mos kuptohej që ishin tërhequr parà nga arkat dhe që pesha e tyre të dukej e njëjtë, aty vendoseshin libra. Bitraj ka rrëfyer më tej se ka arritur që brenda një dite të merrte deri në 10 milionë lekë. Ndërkohë, Mimoza Bruzia ka mohuar para gjykatës të ketë lidhje e të ketë bashkëpunuar me 45-vjeçarin.