– Koment i një qytetari në faqen e “Dyrrah”-t, apel publik kryebashkiakut për të hequr lokalet nga lulishtja
– Paralajmërimi: Në rast se ju deri ditën e hënë nuk veproni për ta kthyer urgjentisht këndin e lojërave dhe hapësirat përreth ashtu siç ishin, do të mobilizoj të gjitha mediet dhe qytetarët e lagjes për të vendosur në vend këtë padrejtësi
DURRËS, 29 maj 2013 –Lokalet po pushtojnë hapësirat në lulishten e hyrjes së Durrësit, madje kanë çmontuar edhe këndin e lojërave të fëmijëve, ky është shqetësimi i një internauti të faqes së “Dyrrah”-ut, i cili komenton me nick-name “dr”.
Duke iu drejtuar kryebashkiakut Vangush Dako, komentuesi shkruan: “Mua më interesojnë hapësirat për fëmijët e mi dhe të komunitetit që na rrethon”.
“dr” kujton se “kemi paguar taksa me gjak për të pasur një park lojërash, të lutem vepro”, pasi lulishtja është pronë publike e bashkisë.
“dr” i dërgon ultimatum Dakos që ai të veprojë deri të hënën “për ta kthyer urgjentisht këndin e lojërave dhe hapësirat përreth ashtu siç ishin”.
Internauti paralajmëron se do të mobilizojë mediet, banorët e lagjes nr. 17, madje PD-në dhe Berishën.
Teksti
I nderuar z. Vangjush, jam një qytetar në hyrje të Durrësit pranë lulishtes, që ju inauguruat me aq bujë elektorale.
Ju shkruaj për një shqetësim dhe nuk dua të shijen e hidhur në këtë fushatë për ju dhe PS-në.
Jo vetëm që nuk ndiheni për të gjitha këto lokale që po zaptojnë hapësirat në lulishten tonë të përbashkët, por tashmë ka arritur dhe kulmi që, përveçse zaptojnë, kanë çmontuar edhe këndin e lojërave të fëmijëve.
Mos ma merrni për shantazh, unë do të filloj një fushatë sensibilizimi kundër këtij shkatërrimi dhe heqjes të së drejtës të të gjithë fëmijëve tanë për t’u zbavitur në këtë lulishte të përbashkët në pronë të bashkisë.
Në rast se ju deri ditën e hënë nuk veproni për ta kthyer urgjentisht këndin e lojërave dhe hapësirat përreth ashtu siç ishin, do të mobilizoj të gjitha mediet dhe qytetarët e lagjes për të vendosur në vend këtë padrejtësi.
Ju e kuptoni sa do t’i vlejë PS-se kjo.
Këtë letër do t’ia dërgoj dhe z. Edi Rama për dijeni dhe të mbetet brenda PS-së ky problem.
Në të kundërt, do t’ia transmetoj dhe Sali Berishës ose deputeteve të PD-së Durrës.
Mua më interesojnë hapësirat për fëmijët e mi dhe të komunitetit që na rrethon.
Ju kujtoj vetëm një gjë: kemi paguar taksa me gjak për të pasur një park lojërash, të lutem vepro.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





