Ekskluzive e Dyrrah”-ut
· Kështu kompania publike APD sha “angazhohet si zëri i biznesit gjerman për interesat në çështjet ekonomike”, një fill që të çon drejt zbulimit të fakteve se si u bë dhënia me koncesion e terminalit të trageteve në portin e Durrësi një “kompanie gjermano-laçiane”, sipas deputetit Lefter Koka. Shkrimi i mëposhtëm bën pjesë në një cikël investigues
· Politikanë dhe diplomatë prapa interesave të biznesit me trysni deri dhe me anëtarësimin e Shqipërisë në BE? Ja disa fakte
Nga Gjergj Thanasi, Thanas Mustaqi
DURRËS, 9 janar 2013 – “Dyrrah”-u po përgatit një investigim për privatizimin me anë të metodës së dhënies me koncesion të terminalit të trageteve në portin e Durrësit. Ky koncesion, si dhe do ta shtjellojmë në hollësi në artikujt në vazhdim, bie erë korrupsion, madje është edhe një veprim haptas i kundërligjshëm. Më poshtë do të ofrojmë hollësi se cila është firma gjermane, që ka fituar të drejtën e koncesionit nëpërmjet një gjoja tenderi të kundërligjshëm, që në themel. Firma gjermane në fakt është një firmë shqiptaro-gjermane e themeluar me ngut, madje e legalizuar(regjistrimi në QKR) pas mbylljes së afatit për pjesëmarrje në tender. Faktikisht, kësaj firme do t’i shkonte më shumë përcaktimi, që i ka bërë deputeti dhe ministri durrsak i LSI-së z. Koka. Ai në mënyrë piktoreske firmën në fjalë e ka quajtur në një fjalim të tij në Kuvend si firmë laçiane-gjermane!
6 ditë para votimeve politike
Ndërmarrje shtetërore shqiptare, anëtare e një shoqate që “angazhohet si zëri i biznesit gjerman për interesat në çështjet ekonomike”, fakti i bujshëm dhe absurd ka të bëjë me kompaninë publike “Autoriteti Portual Durrës sha”, që është anëtare e DIHA-s (Deutsche Industrie-und Handelsvereinigung in Albanien – Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri), një OJQ biznesi (shih 3 faksimilet e faqes së DIHA-s). Natyrisht, në këtë dhomë tregtie gjermane-shqiptare janë anëtarë dhe koncensionarët gjermanë të portit të Durrësit: ai i terminalit të trageteve AFTO (Albanian Ferry Terminal Operator) dhe terminalit lindor EMS-Albanian Port Operator, si dhe dy kompani ngarkim-shkarkimi, transporti, spedicioni dhe detare si: ASC (Albanian Stevedoring Company) shpk dhe GALA (German-Albanian Logistics Agency) shpk. Për koincidencë, më 17 qershor 2013, gjashtë ditë para votimeve politike në Shqipëri, u zgjodh zëvendëspresident i DIHA-s Jens-Uwe Ströber, drejtori ekzekutiv i Albanian Stevedoring Company. Po gjashtë ditë para votimeve politike në Shqipëri, në kryesinë e DIHA-s u shtua dhe Ulrike (Franzel) Bega, CIM / GIZ, këshilltare e kryebashkiakut të Tiranës, njëkohësisht kryetar de jure i opozitës shqiptare Lulzim Basha. Sipas DIHA-s, Ulrike Bega, “prej gjashtë vitesh në Shqipëri, është planifikuese dhe arkitekte dhe punon prej janarit 2012 si këshilltare e kryetarit të bashkisë së Tiranës" (shih foton e fundit). Me këtë cilësi këshilltarja ka marrë pjesë në fushatën elektorale të 23 qershorit 2013 në favor të PD-së, opozitës aktuale.
Kërcënim me opozitën
I pyetur nga Top-Channel “Përse Gjermania e vuri veton e saj krahas katër vendeve të tjera anëtare të BE-së, të cilat mendonin për shtyrjen e shqyrtimit të statusit në qershor 2014?”, ambasadori Helmut Hoffmann (i ardhur në Tiranë në gusht 2013), deklaroi: “Më lejoni t’ju them se jam duke lexuar spekulime nga më të ndryshmet që lidhen më BE-në, por nganjëherë e vërteta është tejet e thjeshtë. Ishin disa vende, mes tyre edhe Gjermania të cilët thanë se qeveria e re ka vetëm 3 muaj në detyrë. Në këtë kohë ne kemi parë zhvillime tejet pozitive të cilat njohim. Nuk asnjë pikëpyetje rreth kësaj. Por disa vende u shprehën se është nevoja e pasjes më shumë kohë për të parë atë që njihet si “track record” për të parë zbatimin e tyre në praktikë, gjithashtu për ndjekur se si dialogu mes qeverisë dhe opozitës do të zhvillohet në Shqipëri në lidhje me reformat”. Frazën e fundit z. Hoffmann e përsëriti dhe pas pyetjes “Cilat janë disa prej shqetësimeve të Gjermanisë që lidhen me proceset integruese të Shqipërisë?”, duke pohuar: “Shqetësimet janë të njohura. Siç e shpjegova na duhet më shumë kohë të shikojmë se ç’do të ndodhë me luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Thënë në terma të përgjithshëm, si do të zhvillohet dialogu mes qeverisë dhe opozitës”.
Drejtori i Rinasit: Qeveria rrezikon të shkaktojë pakënaqësi
Po më 17 qershor 2013, President i DIHA-s u zgjodh Rolf Castro-Vasquez, që “jeton prej tetë vitesh në Shqipëri, drejtuesi i ri i Tirana International Airports (TIA) dhe pasardhës i ish-presidentes së DIHA-s, znj. Andrea Gebbeken”. Drejtori i ri aeroportit, z. Rolf Castro-Vasquez, në një mesazh për anëtarët e DIHA-s, në prag të vitit të ri 2014, vuri në dukje, në mënyrë diplomatike se “në zgjedhjet e këtij viti, shumica e shqiptarëve vendosën për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën. Qeveria e re erdhi me premtimin për një rinovim të strukturave të shtetit në të gjitha nivelet dhe një frymë të re të të menduarit e të qeverisjes”. Ai shpreh shqetësimin e Bonit se “një rritje e tatimit mbi korporatat në 15 për qind (nga 10 për qind që ishte më parë) për kompanitë e mëdha, është deri diku e përballueshme për pjesën më të madhe të kompanive. Largimi i investitorëve të huaj për këtë shkak do të ishte relativisht jo i pritshëm. Edhe me një tatim në masën 10 për qind nuk kishte flukse të mëdha investitorësh drejt Shqipërisë. Megjithatë, me një tatim prej 23 për qind mbi pjesët e të ardhurave që janë mbi 130 000 lekë, qeveria rrezikon të shkaktojë pakënaqësi tek ato shtresa, që i nevojiten për rindërtimin e vendit”. Ndërkohë kryetarja e Anti-trustit shqiptar Lindita Milo ka deklaruar se TIA (Tirana International Airports), kompania që administron Rinasin, ruan “pozita të pastra monopoli në të gjithë territorin e Shqipërisë”.
Mbështetja për “ish”-ët
Edhe pse pritej zëvendësimi i drejtorit ekzekutiv të kompanisë publike Autoriteti Portual sha Eduard Ndreu, ky i fundit dhe ata që qëndrojnë prapa tij, kanë shfrytëzuar politikisht dhe në mënyrë pragmatiste vizitën që ka bërë më 3 tetor 2013 paradite në port. Delegacioni i biznesit, i organizuar nga DIHA, IHKHannover, IHK München dhe Bavaria e Sipërme si dhe nga Fondacioni Carls-Duisburg, si dhe delegacioni politik, i udhëhequr nga Ernst Burgbacher nga Ministria Federale e Ekonomisë dhe Teknologjisë vizituan së bashku me ambasadorin gjerman në Shqipëri, Z. Helmut Hoffmann më 3 tetor 2013 – Ditën e bashkimit të Gjermanisë – portin e Durrësit (shih foton). Delegacioni u prit nga ish-drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit Portual, Eduard Ndreu, i cili prezantoi përmbledhtazi kapacitetet e portit më të madh të vendit, si dhe modernizimin e tij në vite. Më pas ish-drejtori i APD-së foli për procesin e dhënies me koncesion të Terminaleve portuale, si pjesë e strategjisë së përcaktuar nga ligji për APD. Sipas një medieje të financuar nga Ndreu dhe PD-ja, z. Ernst Burgbacher në fjalën e tij të përshëndetjes tha: “Jam në dijeni që këtu operojnë edhe disa kompani gjermane përmes investimit të tyre dhe shpreh vlerësimin tim për këtë marrëdhënie të ndërsjellë, zhvillimi të ekonomisë. Do të keni mbështetjen tonë edhe me tej. Publikisht ju bëj ftesën për të ardhur në Gjermani, për t’u njohur me portet tona dhe vijimësinë e marrëdhënieve të ndërsjella ekonomike”. E thënë kështu, dilte se qeveria gjermane do të ndërhyjë që, jo vetëm të mos anulohet koncesioni aq i lakuar nga shtypi dhe politika shqiptare për terminalin e udhëtarëve, por ta mbante ende në detyrë Ndreun dhe drejtuesit e tjerë të portit. Delegacioni gjerman nën drejtimin e z. Ndreu zhvilloi më pas një vizitë dyorëshe në terminalet kryesore të portit të Durrësit, ku u njoh më nga afër me investimet dhe ndryshimet pozitive në hapësirën portuale.
Intermexo
Ndërkaq është për të vënë në dukje fakti që zz. Eduard Ndreu, ish-kryeministri Sali Berisha, përfituesit gjermanë nuk kanë sqaruar paqartësitë në koncesionet e dhëna në port, sidomos për atë në terminalin e trageteve / udhëtarëve, që e ka përuruar personalisht z. Berisha, ku janë investuar rreth 22 milionë euro. Tenderi parashikonte pranimin e ofertave deri më 23 qershor 2013, u dha njoftimi në gusht 2013. Koncensionari gjermano-shqiptar AFTO, u regjistrua në QKR më 17 qershor 2013, katër ditë pas skadimit të afatit të paraqitjes së ofertave. Në vazhdimin e këtij investigimi “Dyrrah”-u do të botojë dokumente me faksimile, që komprometojnë rëndë si ish-pushtetarët e djeshëm dhe njerëz të caktuar të diplomacisë dhe biznesit gjerman në Shqipëri. Madje, Ndreu guxoi të deklaronte se “pritshmëria që kanë qytetarët nga prezenca e kompanive gjermane që operojnë në port, është e lartë”. Ish-opozita, sot në pushtet, ka premtuar anulimin e këtij koncesioni. Nuk dihet, nëse deklarimi në zyrat e portit të funksionarit gjerman se do të mbështeste Ndreun që e ftoi në Gjermani, ishte thjesht mirësjellje, apo seriozisht qarqe politike “teutone” në Bon apo diplomatë të tij në Tiranë janë implikuar në interesa biznesi të dyshimtë dhe a do të arrijnë t’i imponohen qeverisë së re. Një i afërm i Ndreut ka pozita drejtuese në AFTO. Nuk është hera e parë që punonjës të caktuar të ambasadës janë përfshirë në trafik vizash në vitet 2000, afera që kanë çuar deri në vetëvrasje etj.
Në pritje
Bie në sy fakti që lidhur me këtë vizitë z. Burgbacher, i pyetur nga radioja gjermane “Dojçe Vele” se nëse është gjetur një zgjidhje lidhur me pakënaqësitë e palës gjermane për faktin që për asistencën e dhënë për Shqipërinë kërkohen që të paguhen edhe taksa doganore, tatime apo tarifa të tjera, kur kjo shkon në kundërshtim me marrëveshjet kontraktuese, ai u përgjigj: “Gjermania është donatori më i madh në vend përllogaritur për frymë popullate. Edhe ka pasur probleme në këtë kontekst, të cilat janë adresuar dhe trajtohen hapur. Kemi marrë sinjale që këto çështje do të zgjidhen në periudhën më të shkurtër të mundshme, që është dhe sinjal konkret për investitorët gjermanë në kushtet për të bërë biznes në Shqipëri”. Nisur nga citimet e mësipërme, mund të spekulohet se Gjermania do të japë OK-in për pranimin e Shqipërisë në BE nëse nuk anulohen koncesionet në portin e Durrësit, apo dhe nëse nuk hetohet për monopol koncesioni në aeroportin e Rinasit. Ndryshe do të vazhdohet me trysnitë, që më tepër se politike, janë thjesht për interesa biznesi.
Sqarime pwr fotot
Sqarimet për fotot
1. Pamje e përgjithshme e portit të Durrësit (kryesore)
2. Faksimile e faqes së DIHA-s (Deutsche Industrie-und Handelsvereinigung in Albanien – Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri), një OJQ gjermane biznesi ku figuron anëtarësia e APD sha dhe ASC shpk
3. Faksimile e faqes së DIHA-s (Deutsche Industrie-und Handelsvereinigung in Albanien – Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri), një OJQ gjermane biznesi ku figuron anëtarësia e Terminalit të Trageteve (AFTO)
4. Faksimile e faqes së DIHA-s (Deutsche Industrie-und Handelsvereinigung in Albanien – Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri), një OJQ gjermane biznesi ku figuron anëtarësia e koncensionarit të terminalit lindor EMS dhe kompanisë stivadore GALA
5. Sekretari parlamentar i Ministrisë Federale e Ekonomisë dhe Teknologjisë së Gjermanisë Ernst Burgbacher duke folur në portin e Durrësit më 3 tetor 2013
6. Delegacioni i biznesit dhe Ministrisë Federale e Ekonomisë dhe Teknologjisë së Gjermanisë, i kryesuar nga sekretari parlamentar Ernst Burgbacher gjatë vizitës në terminalin e trageteve më 3 tetor 2013
7. Pamje ballore e ambasadës gjermane në Tiranë
8. Ambasadori gjerman Helmut Hoffmann (i ardhur në Tiranë në gusht 2013)
9. Faksimile e faqes së DIHA-s (Deutsche Industrie-und Handelsvereinigung in Albanien – Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri), një OJQ gjermane biznesi, ku pasqyrohet mesazhi i Presidentit të DIHA-s Rolf Castro-Vasquez, drejtuesi i ri i Tirana International Airports (TIA) me rastin e vitit të ri 2014
10. Presidenti i DIHA-s, drejtuesi i ri i Tirana International Airports (TIA) Rolf Castro-Vasquez
11. Faksimile e faqes së DIHA-s (Deutsche Industrie-und Handelsvereinigung in Albanien – Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri), një OJQ gjermane biznesi, ku pasqyrohet kryesia e re e DIHA-s më 17 qershor 2013
12. Anëtarja e kryesisë së DIHA-s më më 17 qershor 2013 Ulrike Bega, prej gjashtë vitesh në Shqipëri, planifikuese dhe arkitekte dhe prej janarit 2012 këshilltare e kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe kryetar i PDSH Lulzim Basha
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





