15 shtator 2015 – Skandali në FIFA mund të marrë përmasa edhe më të mëdha. Këtë e bëjnë të ditur prokurorët e çështjes, duke theksuar se në të ardhmen do të ketë arrestime të tjera pasi asnjë funksionar i lartë nuk do të fshihet pas skandalit ku janë vjedhur miliona dollarë. Në këtë mënyrë, në lojë hyn edhe presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter i cili do të largohet zyrtarisht nga kjo detyrë në muajin shkurt pas zgjedhjeve të reja.

Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Loretta Lynch dhe homologu zvicerian Michael Lauber njoftuan në një komunikatë për shtyp se përveç arrestimeve janë sekuestruar edhe pasuritë e njerëzve që tashmë janë të akuzuar zyrtarisht, mes të cilëve edhe shumë prona të paluajtshme në Aplet Zviceriane.

Në shënjestër janë vënë edhe disa persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, por ata dyshohen për pastrimin e parave të përfituara në mënyrë të jashtëligjshme nga ish-drejtuesit e FIFA-s, të cilët dyshohet se kanë arkëtuar miliona dollarë për favorizime të paligjshme në shumë çështje, përfshirë edhe mbështetjen e vendeve të veçanta në kandidaturat për organizimin e botërorit.

“Hetimi ynë ka nisur që në muajin maj por në sipërfaqe po dalin prova dhe emra të rinj”, theksoi hetuesja amerikane, e cila sipas mediave angleze ka vendosur në mikroskop aktivitetin e Blatter-it gjatë viteve të fundit.

Lynch ka ngritur akuza ndaj 14 zyrtarëve të arrestuar, 11 prej të cilëve janë ekstraduar dhe do të gjykohen në SHBA. 121 është numri i llogarive bankare të ngrira, ndërsa janë sekuestruar 11 terrabajt materiale elektronike në zyrat qendrore të FIFA-s. Pjesa e fundit e skandalit lidhet me një hetim që ka nisur për firmosjen e dy kontratave për të drejtat televizive nga Blatter, i cili ia ka shitur ish-zyrtarit Jack Warner dhe më pas të dy mendohet se kanë përfituar miliona dollarë. Nëse kjo pistë hyn në rrugë ligjore, atëherë edhe Blatter mund ta shikojë veten në bankën e të akuzuarve përtej Atlentikut.

/portali DurresLajm/