Cristiano Ronaldo fitoi në dhjetor të vitit të kaluar “Topin e Artë 2016” për të regjistruar trofeun e tij të katërt. Diçka që ishte e ditur dhe e parashikuar prej kohësh. Ylli i Real Madrid u spekullua gjerësisht të ishte fituesi i atij trofeu bazuar në rolin e tij te fitimi i Champions League me Real Madrid dhe gjithashtu në fitimin e Kupës së Europës me Portugalinë në Europianin “Francë 2016”, që ishte edhe trofeu i tij i parë me ekipin përfaqësues. Ishin të shumtë ata që e pritnin e gati gati e dinin për të sigurtë që CR7 do të merrte trofeun për paraqitjen dhe rezultatet e shkëlqyera gjatë sezonit 2015-2016, por gjithashtu edhe për shkak të asaj kopertine “rrjedhur” të “France Football”, që shfaqte Ronaldon duke pushtuar faqen e parë me trofeun në duar. Pikërisht edhe tani, aktiviteti më i fundit i France Football duket se paralajmëron që tani se do të jetë Ronaldo edhe fituesi i edicionit të ardhshëm të “Topit të Artë 2017”, ndonëse ceremonia e eventit është shumë muaj më vonë. Revista ka publikuar CR7 në kopertinë, shoqëruar me pyetjen: “Kush arrin ta mundë atë tani?”.
Ronaldo ka realizuar 31 gola në të gjitha kompeticionet me Real Madrid këtë sezon, përfshirë një tre golësh për të fundosur Atletico Madrid që në takimin e parë gjysmëfinal të Champions League, që ishte preçeduar nga plot pesë gola të realizuar në dy takimet çerekfinale përballë Bayern Munich. Dhe “France Football” që është përgjegjës për akordimin e trofeut prestigjoz paralajmëron suksesin e Ronaldos, duke anashkaluar e gati mohuar rivalin e tij kryesor që është padyshim Lionel Messi me shokun e tij të ekipit Neymar në listën e kandidatëve që mund të ndalin CR7 në garën për “Topin e Artë”, me legjendën e Juventus dhe Italisë, Gianluigi Buffon, apo edhe dyshen franceze, Antoine Griezmann dhe Kylian Mbappe. Sikurse parashikohej, veprimi i “France Football” ka ngjallur reagimin në kampin e Barcelonës e mbi të gjitha të mediave pranë klubit blaugrana. Të dyja, “SPORT” dhe “Mundo Deportivo” kanë kundërshtuar, duke thënë se Buffon, Dani Alves dhe Messi, që ka realizuar 16 gola më shumë se rivali i tij këtë sezon, e meritojnë më shumë “Topin e Artë 2017”se Ronaldo, që sipas tyre, “nuk bëri asgjë mbresëlënëse” deri në çerekfinalen e Champions League, ku ai përfitoi nga tolerimi i arbitrit dhe anësorit. Ndërkohë, Mundo Deportivo, e ka konsideruar një skandal faktin që “France Football” ka publikuar një pyetje të tillë shtatë muaj përpara se të akordohet trofeu.