Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor në lidhje me skandalin e AKSHI-t, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ish drejtuesja dhe përfaqësues të së cilës janë marrë të pandehur nga SPAK se kanë vepruar me persona të tjerë si një grup i strukturuar kriminal me pengmarrje dhe manipulim tenderash.
Në kërkesë, PD kërkon vleresimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve, si dhe për analizimin e rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.
“Kërkesa për ngritjen nga Kuvendi të një komisioni hetimor, përmbush tri kriteret kushtetuese si vijon: (i) çështja ka të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera për të cilat Kuvendi është i autorizuar të marrë masa ligjore; (ii) objekti i hetimit fokusohet në një çështje konkrete; dhe (iii) ekzistojnë të dhëna dhe indicie të mjaftueshme që dëshmojnë për ekzistencëne problematikave dhe dyshimeve të arsyeshme lidhur me ligjshmërinë e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve dhe zyrtarëve shqiptarë në funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), në administrimin e procedurave të prokurimit publik, në garantimin e sigurisë kibernetike, në mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve, si dhe në administrimin e infrastrukturës digjitale kritike të shtetit.”, thuhet ne kerkese.





