Teksa disa drejtues të salloneve apo klinikave që ofrojnë trajtime estetike janë arrestuar e të tjerë janë në kërkim, i gjithë tregu i këtyre shërbimeve është tronditur pasi nuk ka klinikë që nuk ofron botox e filler, të paktën në Tiranë.
Dhe kjo toksinë, e cila ka rreth 10 vjet që përdoret nga vajzat dhe djemtë në vend, nuk është e regjistruar në Shqipëri, por ka hyrë me çanta kontrabandë.
Ishte një operacion i policisë që u fokusua në 32 subjekte, të cilat furnizohen me një lloj botoxi të quajtur “Nabota” me origjinë nga Koreja, por që hyn nga pika doganore e Morinës dhe një lloj tjetër, e quajtur Disport, i cili është prodhim turk dhe hyn nga aeroporti i Rinasit.
Në listën e të kërkuarve janë emra të klinikave të njohura që kanë ofruar këtë shërbim janë Skerdilajd Faria, Luada Caushaj, Aida Troka, Jondia Zaçe, Eni Shemaj.
Por, a duhet licensuar Botoxi në Shqipëri, pasi tanimë përveç si destinacion turistik bregdetar njihet edhe turizmi estetik, ku futen pikërisht këto trajtime, ai dentar apo dhe mbjellja e flokëve.
Mjekët thonë se ky treg duhet rregulluar, pasi nuk mund te injektojnë botox nëpër parukeri apo jo profesionistët.
Por, a ishte ky aksion i policisë i rastësishëm apo i qëllimshëm, kjo mbetet për t’u parë.
Top Channel disa herë ka raportuar në lidhje me trendin e vajzave për të injektuar botox dhe demet që u shkaktohen nga jo profesionistët për shkak të çmimeve të lira, si dhe mos ushtrimin e kontrollit nga Inspektorati Shëndetësor shtetëror nëpër këto klinika./ Top Channel