19 shtator 2015 – Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, është përfshirë në një tjetër skandal, kësaj radhe duke marrë kompetencat e Presidentit dhe duke urdhëruar lirimin nga detyra të ambasadorit shqiptar në OSBE, Spiro Koçi. Bushati nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme, i ka dërguar një letër zyrtare ambasadorit shqiptar në OSBE, të cilit i ka njoftuar se ndaj tij kanë nisur procedurat e lirimit nga detyra dhe për rrjedhojë duhet të kthehet në atdhe brenda datës 1 tetor.

Burime nga kabineti i Presidentit bëjnë me dije për gazetën “Panorama” se kreu i shtetit nuk ka firmosur asnjë dekret që të lirojë ambasadorin Spiro Koçi nga detyra. Po ashtu mësohet se ministri i Jashtëm nuk ka propozuar kandidaturë të re për postin e ambasadorit, ndërkohë që nuk ka dërguar asnjë kërkesë te Presidenti për të liruar nga kjo detyrë përfaqësuesin e selisë diplomatike në Vjenë.

Sipas Kushtetutës, Presidenti është i vetmi që ka tagër ligjor të lirojë apo të emërojë ambasadorët me propozim të Kryeministrit.

/portali DurresLajm/