Inspektorë të KLD-së dhe të Ministrisë së Drejtësisë kanë zbarkuar në Gjykatën e Durrësit, pas denoncimit publik që bëri 63-vjeçarja Luljeta Hoxha, se me një vendim gjykate rezultonte e martuar me një burrë të huaj nga qyteti i Shkodrës. Burime zyrtare nga kjo gjykatë kanë bërë me dije se inspektorët kanë nisur verifikimin e vendimeve të dhëna nga gjykatësja Flora Hasimja, e cila vazhdon ende punën e saj si gjyqtare në këtë gjykatë.
(Në foto: gjykatësja Flora Hasimja)
Gjykatës së Durrësit, për ditë me radhë i është kërkuar një reagim zyrtar mbi vendimin e dhënë nga gjykatësja Flora Hasimja më datë 27 dhjetor 2015, por deri tani gjykata nuk ka reaguar.
Luljeta Hoxha, 63 vjeçe nga Durrësi, denoncoi publikisht një vendim krejtësisht abuziv e në kundërshtim me ligjin, të dhënë nga gjykatësja Flora Hasimja në fillim të këtij viti. Zonja që është edhe pronare e një furre buke në Durrës, publikoi vendimin ku gjykatësja e bënte bashkëshorte të një shtetasi, të cilit i kishte blerë një pronë 12 vjet më parë. (Lexo këtu: Skandali me gjykatësen e Durrësit, "martoi" 63-vjeçaren durrsake me një shkodran)
K.H.





