Pavarësisht se në treg kanë hyrë me shumicë produktet e stinës, perimet dhe frutat, asnjë prej produkteve nuk është prodhim BIO.
Madje ankesat e konsumatorit kanë të bëjnë me cilësinë shumë të keqe të domateve që tregtohen nga pikat e shumicës deri tek konsumatori.
Domatja është në stinën e saj të pjekjes, por domate në treg ka me shumicë e nuk konsumohen.
“Janë aq të forta dhe të bardha fare brenda, nuk e dimë si janë bërë kështu”- thotë një konsumatore.
“Bojë nuk ka, por e keqja është që po të kafshosh domatet, ke frikë se të mbeten dhëmbët brenda, aq të forta, si dru janë”,- thotë një tjetër konsumatore.
“Sallata nuk hahet, nuk përtypet domatja”,- thotë një tjetër konsumator.
Pak ditë më parë ministri i Bujqësisë deklaroi se frutat e perimet shqiptare nuk kanë hormone, por pesticidet të cilat spërkaten kanë zhvlerësuar çdo produkt vendas në treg.
Asnjë siguri e garanci nuk kanë perimet e as frutat, për aq kohë sa fermerët e serave e të pemëtoreve nuk kontrollohen nga askush për cilësinë e prodhimeve që nxjerrin për konsumatorin në treg.
K.H.





