Mbetjet e rrezikshme spitalore vazhdojnë të hidhen në lumenj, fusha dhe zona të hapura, duke përbërë një kërcënim serioz për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve. Një raport i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) zbulon se institucionet përgjegjëse nuk kryejnë asnjë kontroll mbi menaxhimin e tyre, ndërsa kompanitë private që kanë fituar tenderat për asgjësimin e mbetjeve nuk tregojnë asnjë transparencë mbi procesin.
Sipas raportit, QSUT, Spitali i Kukësit dhe ai i Fierit nuk ndjekin protokollet e sigurisë për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve. Në shumë raste, mbetjet e rrezikshme janë gjetur të depozituara në ambiente të papërshtatshme brenda spitaleve, si tualete, lavanderi apo zyra mjekësh, duke rrezikuar drejtpërdrejt personelin dhe pacientët. Po ashtu, spitalet nuk kanë informacion mbi sasinë e mbetjeve që prodhojnë dhe stafi i tyre nuk është trajnuar për administrimin e tyre.
Nga ana tjetër, kompanitë e kontraktuara për menaxhimin e mbetjeve kanë mashtruar mbi vendndodhjet e trajtimit të tyre. Raporti tregon se në disa pika ku këto kompani kanë deklaruar se asgjësojnë mbetjet, në realitet nuk kryhet asnjë proces trajtimi. Për më tepër, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit nuk ka të dhëna se ku përfundon hiri i mbetjeve që digjen apo nëse ky proces kryhet sipas standardeve.
KLSH ngre alarmin edhe mbi mungesën e monitorimit nga institucionet shtetërore. Ministria e Shëndetësisë nuk ka një program të miratuar për monitorimin e mbetjeve spitalore, ndërsa spitalet nuk kanë dorëzuar as dokumentacionin e nevojshëm mbi asgjësimin e tyre. Tre spitalet e inspektuara nuk janë pajisur as me akt miratimi higjeno-sanitar për administrimin e mbetjeve.
Si pasojë e kësaj situate, mbetjet spitalore vazhdojnë të përfundojnë në mjedis, duke krijuar një ‘bombë ekologjike’ me pasoja të rënda për qytetarët dhe natyrën.





