Teksa ka folur për pajisjen e re për sëmundjet respiratore që gjendet në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka thënë se skandali i Onkologjikut nuk mund të njollosë punën e mjekëve të përkushtuar. Koçiu ka thënë po ashtu se fytyra e vërtetë e sistemit shëndetësor janë mjekët që punojnë përditë me përkushtim dhe me devotshmëri.
“E di që shumë nga ju janë cenuar edhe moralisht, nuk e gjejnë veten në atë histori dhe patjetër që nuk besojnë që ajo histori i përfshin të gjithë.
Fytyra e vërtetë e sistemit shëndetësor jeni ju që punoni përditë me përkushtim dhe me devotshmëri. Prandaj ajo histori nuk mund ta njollosë bluzën e bardhë të mjekut dhe të infermierit në shërbimin shëndetësor”, tha Koçiu.
Ajo u shprehu mirënjohje mjekëve për punën me fluksin e urgjencës së QSUT pas dëmeve nga zjarri teksa prezantoi pajisjen më të re. Aparatura ECMO pompon në mënyrë të vazhdueshme gjakun nga trupi dhe më pas e shpërndan atë përmes pajisjeve që rrisin oksigjenin dhe heqin gazin karbonik deri në momentin e stabilizimin të pacientit.