Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” qëprej muajsh shërben si Covid-2 ka reaguar pas skandalit të denoncuar mbrëmjen e kaluar nga emisioni investigativ “Stop”, ku sanitarja Tire Alldërvishi i kishte marrë 8 milionë lekë një30-vjeçareje për t’i shpëtuar të ëmën, e cila fatkeqësisht kishte ndërruar jetë.

Në reagimin e tij, spitali Covid-2 dënon ashpër ngjarjen, ndërsa iu kërkon autoriteteve të kryejnë hetimin e rastit deri në fund.

“Gjithë personeli shëndetësor i spitalit “Shefqet Ndroqi” ndjehet tejet i lënduar, befasuar nga veprimi korruptiv, ç’njerëzor i sanitares me inicialet T.A dhe dënon me forcë këtë akt të paligjshëm, korruptiv i bërë publik në emisionin investigativ “STOP”. Ky akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm nuk mundet kurrsesi të njollosë punën vetëmohuese dhe të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Personeli shëndetësor i spitalit duke u distancuar nga ky veprim do të vazhdojë të ofroj me përkushtim shërbimin shëndetësor në kohë dhe me cilësi. Mbas shkarkimit nga puna e sanitares i kërkojmë autoriteteve kompetente të kryejnë hetimin deri në fund të këtij rasti. Personeli i shërbimit shëndetësor “Shefqet Ndroqi”.”, thuhet në reagim.