Të vënë në dijeni për shkarkimin e ujërave të zeza në port, Drejtoria e Mjedisit e Durrësit nisi në vendgjarje një grup inspektimi.
Drejtori i Mjedisit, Eneo Hasa, deklaroi se kjo është hera e parë që bëhen shkarkime të ujërave të zeza dhe nuk dihet se si përfunduan brenda në det ujërat e zeza. Nuk dihet nëse kanë përfunduar si rezultat i një manovre të gabuar nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve apo nëse janë hedhur nga ndonjë anije në kanalizimin e rrjetit të ujërave të bardha e përfunduan në det.
“Situata do të hetohet, për të parë se prej ku nis ky tubacion i shkarkimit të këtyre ujërave në kalatën lindore”, -u shpreh Hasa. Drejtoria e Mjedisit , Sigurimit Teknik, Epidemiologjik, dhe Emergjencave, mori mostrat e ujit të basenit, për të bërë analizimin e shkallës së ndotjes bakteriale. Policia e sigurisë portuale dhe përfaqësuesit e ujësjellësit, kanë mbërritur në kalatën lindore me kërkesë të Drejtorisë së Mjedisit.
K.H.