Skandali më i fundit me ushqimet në Europë është thelluar, pasi Komisioni Europian njoftoi se një total prej 15 shtetesh të BE-së, plus Zvicrën dhe Hong Kongun, kanë marrë vezë të kontaminuara nga një insekticid i dëmshëm për shëndetin e njeriut.
Një zëdhënës në Bruksel tha se, situata është në zhvillim e sipër dhe një hetim kriminal vazhdon, me dy persona të arrestuar të enjten për mashtrim, pas një serie aksionesh në Belgjikë dhe Holandë.
Vendet e BE-së të prekura nga skandali janë Belgjika, Holanda, Gjermania, Franca, Suedia, Britania, Austria, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Polonia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia dhe Danimarka.
Produktet në supermarketet britanike janë tërhequr tashmë, pasi u zbulua se pretendimi për 21 mijë vezë të kontaminuara në tregje nuk ishte i vërtetë, pasi zyrtarët konfirmuan se bëhet fjalë për më shumë se 700 mijë të tilla.
Pas arrestimit të dy drejtorëve të kompanisë holandeze, “Chickfriend”, që besohet se ka ofruar insekticidin e ndaluar për fermerët, një person i tretë i është nënshtruar kontrolleve dhe marrjes në pyetje të hetuesve holandezë.
Javën e shkuar u bë e ditur nga ministri belg i Bujqësisë se, që në nëntor, autoritetet holandeze kishin marrë informacione për insekticidin që po përdorej në mënyrë të jashtëligjshme në fermat e vendit.
Informacioni nuk iu ishte përcjellë vendeve të tjera. Holanda është justifikuar duke thënë se, fillimisht hetimi ishte orientuar te mashtrimi dhe nuk kishte marrë parasysh rreziqet shëndetësore. Kur shkalla e kontaminimit u bë e ditur, 180 ferma në Holandë u detyruan të mbylleshin.